Polonia e gatshme të vendosë të gjithë avionët luftarakë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara

Avionët reaktivë MIG-29 të Forcave Ajrore Polake

VARSHAVË - Polonia është e gatshme të dislokojë të gjithë avionët e saj reaktivë të tipit MIG-29 në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani, si dhe t'i vendosë ato në dispozicionin e Shteteve të Bashkuara, njoftoi të martën Ministria e Jashtme polake, duke i bërë thirrje vendet të tjera të NATO-s që kanë avionë të tillë që të veprojnë në të njëjtën mënyrë.

Ligjvënësit amerikanë i kërkuan të hënën administratës së Presidentit Joe Biden që të ndihmojë për transferimin drejt Ukrainës të avionëve luftarakë të Polonisë dhe të vendeve të tjera të NATO-s dhe të Evropës Lindore. Kjo kërkesë pasoi një thirrje të bërë nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski.

"Autoritetet e Republikës së Polonisë... janë të gatshme të dërgojnë menjëherë dhe falas të gjithë avionët reaktivë MIG-29 në bazën ajrore Ramstein dhe t'i vendosin ato në dispozicion të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës", tha ministria polake.

Në hyrje të bazës Ramstein në Gjermani

"Në të njëjtën kohë, Polonia i kërkon Shteteve të Bashkuara të na pajisë me avionë të përdorur që kanë aftësitë e duhura operacionale. Polonia është e gatshme për të përcaktuar menjëherë kushtet për blerjen e avionëve", thuhet në deklaratë.

Pilotët ushtarakë ukrainas përdorin avionë MiG-29, dhe zyrtarët e lartë ukrainas u kanë kërkuar vende të tjera që kanë avionë të tillë t'i transferojnë në Ukrainë, ku mund të futen në përdorim pa patur nevojë për trajnim shtesë.

Njoftimi i Polonisë duket se ishte i papritur për administratën e Presidentit Biden. Nënsekretarja e Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland, u tha ligjvënësve se kjo "ishte një lëvizje surprizë nga polakët".

John Kirby

Sekretari i shtypit i Pentagonit, John F. Kirby, shtoi të martën se Pentagoni nuk "mendon se propozimi i Polonisë është i realizueshëm".

"Mundësia që avionë luftarakë 'në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës' të nisen nga një bazë amerikane dhe e NATO-s në Gjermani, për të fluturuar drejt hapësirës ajrore të kontestuar me Rusinë mbi Ukrainë, ngre shqetësime serioze për të gjithë aleancën e NATO-s. Thjesht nuk është e qartë për ne se ka një racionalitet domethënës për këtë", thuhet në një deklaratë të dhënë nga zoti Kirby, ku shton se Shtetet e Bashkuara do "të vazhdojnë të konsultohen me Poloninë dhe aleatët e tjerë në NATO për këtë çështje dhe vështirësitë logjistike që përfaqëson".

Polonia po e mbështet Kievin me armatim mbrojtës, por ka deklaruar se nuk do t'i dërgojë avionët reaktivë në Ukrainë, pasi nuk është palë direkte në konfliktin mes Ukrainës, që nuk është anëtare e NATO-s, dhe Rusisë.

Mateusz Morawiecki

"... çdo vendim për të dërguar armë ofensive duhet të merret nga e gjithë NATO-ja dhe me unanimitet", tha të martën Kryeministri Mateusz Morawiecki, gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Oslo me homologun e tij norvegjez.

"Prandaj jemi gati t'ia japim (bazës) Ramstein të gjithë skuadriljen tonë të avionëve reaktivë luftarakë, por nuk jemi të gatshëm të ndërmarrim ndonjë lëvizje nga ana jonë, pasi siç thashë, nuk jemi palë e kësaj lufte", shtoi ai.