Lufta në Ukrainë e ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen e grave, pas vështirësive të mëdha ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga pandemia e COVID-19, tha të martën para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Drejtorja Menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.
Duke folur në një lidhje video në një takim të posaçëm të Këshillit të Sigurimit në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, zonja Georgieva tha se gratë përballen në mënyrë joproporcionale me shkatërrimin e luftës, por janë shpresa më e mirë për paqen – duke qenë shpesh të parat që kapërcejnë ndasitë e konflikteve.
"Jam me zemër me të gjitha gratë që përballen me tmerrin e luftës, duke mbrojtur fëmijët e tyre, duke u kujdesur për të plagosurit, duke sakrifikuar për vendet e tyre, komunitetet e tyre, familjet e tyre," tha drejtorja e FMN-së, Georgieva.
"Sot, ky është fati i motrave tona në Ukrainë - ne admirojmë guximin tuaj, ne ndajmë dhimbjen tuaj, ne jemi me ju."
Ajo tha se konflikti, së bashku me pandeminë COVID-19 dhe krizat e tjera, po kërcënojnë të zhbëjnë përparimin e bërë ndër vite drejt barazisë gjinore.
"Për shembull, gjatë pandemisë në shkallë globale, dy herë më shumë gra se burra humbën punën për shkak të pasigurisë, mbrojtjes më të pakët sociale dhe shpesh barrës së kujdesit ndaj fëmijëve dhe punës së papaguar," tha zonja Georgieva.
Rreth 20 milionë vajza në vendet në zhvillim mund të mos kthehen kurrë në shkollë si pasojë e pandemisë, gjë që ka të ngjarë të reduktojë ndjeshëm potencialin e fitimeve të tyre gjatë gjithë jetës.
Dhuna me bazë gjinore ka qenë gjithashtu në rritje në Afrikën Nënsahariane dhe zonja Georgieva tha se nëse vendet në rajon mund të reduktojnë raste të tilla në mesataren globale, kjo mund të rrisë produktin ekonomik afatgjatë me rreth 30%.
"Kur gratë dhe vajzat arrijnë potencialin e tyre të plotë, është më mirë për to dhe për ekonomitë e vendeve. Kjo është në dobi të të gjithëve," shtoi ajo.
FMN ka në plan të paraqesë strategji të reja për shtetet e brishta dhe të prekura nga konflikti në bordin e saj ekzekutiv të mërkurën, të cilat do të përfshijnë pabarazinë gjinore në identifikimin e nxitësve të paqëndrueshmërisë së vendit, së bashku me pasigurinë ushqimore, zhvendosjen e detyruar dhe ndryshimet klimatike, tha zonjë Georgieva.
Kur gratë marrin pjesë në proceset vendimmarrëse të vendeve, ato ndihmojnë në ndërtimin e shoqërive më të qëndrueshme dhe elastike, tha drejtorja e FMN-së, duke shtuar se gratë ndihmuan në ecurinë e proceseve të paqes nga Irlanda e Veriut në Kolumbi në Liberi në vitet e fundit.