Kryeministri izraelit në përpjekje për një zgjidhje diplomatike të situatës në Ukrainë

Kryeministri i Izraelit tha se vendi i tij do të vazhdojë të ndihmojë gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për krizën e Ukrainës, edhe nëse mundësitë për sukses janë të pakta.

Kryeministri Naftali Bennett, foli të dielën në një takim të kabinetit të tij, disa orë pasi u kthye nga një takim i papritur me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë, ku të dy diskutuan për luftën me Ukrainën. Më pas ai udhëtoi për në Gjermani, ku u takua me kancelarin Olaf Scholz.

Kryeministri Bennett nuk shpalosi hollësi nga bisedimet e tij me Vladimir Putinin, por i quajti përpjekjet e ndërmjetësimit të vendit të tij si "detyrë morale".

Më herët, zyra e tij tha se ai dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, folën me telefon të dielën në mëngjes, telefonata e tretë e tillë mes dy udhëheqësve që nga e shtuna.

Kryeministri Bennett i tha gjithashtu kabinetit të tij se Izraeli po përgatitej për një valë imigrimi të hebrenjve nga Ukraina. Izraeli po përgatitet gjithashtu të lejojë hyrjen e një numri të vogël ukrainasish jo-hebrenj, që ikin nga konflikti.

Izraeli është një nga vendet e pakta që ka marrëdhënie të mira pune me Rusinë dhe Ukrainën.