Agjencia ruse e kontrollit të medias bllokon plotësisht Facebook-un

facebook

Agjencia shtetërore ruse e kontrollit të mediave “Roskomnadzor” bllokoi plotësisht Facebook-un, mes tensioneve rreth luftës në Ukrainë.

Agjencia tha të premten se vendosi ta ndalojë FB, siç shprehet ajo, “për shkak të diskriminimit” të medias ruse dhe burimeve shtetërore të informacionit. Ajo tha se kufizimet e vendosura nga Facebook ndaj mediave shtetërore ruse si RT, janë në shkelje të ligjit rus.

“Roskomnadzor” e kishte bllokuar përkohësisht Facebook-un para një jave, duke e ngadalësuar atë ndjeshëm. Platformat Facebook dhe Twitter kanë luajtur një rol të madh në ndihmë të opozitës ruse gjatë viteve të fundit.

Bllokimi i Facebook-ut, pason mbylljen nga Rusia të Zërit të Amerikës, Radios Evropa e Lirë, BBC-së, “Deutche Welle-s” dhe portalit me bazë në Letoni “Meduza”, ndërsa qeveria ruse po përpiqet të bllokojë gjithë burimet e pavarura të informacionit rreth luftës në Ukrainë.