Bisedimet Ukrainë-Rusi arrijnë progres për krijimin e korridoreve të evakuimit

Delegacioni ukrainas (majtas) dhe ai rus (djathtas) shtrëngojnë duart (3 mars 2022)

Një anëtar i delegacionit të Ukrainës në bisedimet me Rusinë thotë se palët kanë rënë dakort për të organizuar korridore të sigurta për evakuimin e civilëve dhe për dërgimin e furnizimeve me ndihma humanitare.

Sipas agjensisë së lajmeve Associated Press, Mykhailo Podolyak, këshilltar i Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, që mori pjesë në bisedimet e së enjtes në Bjellorusi pranë kufirit polak, tha se Rusia dhe Ukraina kanë arritur një mirëkuptim paraprak se do të ruajnë një armëpushim në zonat ku do të përcaktohen korridoret e sigurtë.

Megjithëse një negociator rus, Vladimir Medinsky, i tha agjensisë së lajmeve Reuters se në bisedime kishte patur "progres domethënës", forcat ruse vazhdonin të rrethonin dhe bombardonin qytetet ukrainase, ndërsa konflikti ka hyrë tashmë në javën e dytë.

Delegacioni ukrainas i përbërë nga Zv.Ministri i Jashtëm Mykola Tochytskyi, Ministri i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov dhe këshilltari i zyrës së presidentit Mykhailo Podoliak (Bjellorusi, 3 mars 2022)

Agjensia e lajmeve Reuters citon gjithashtu një negociator ukrainas të jetë shprehur se bisedimet nuk kanë sjellë rezultatet për të cilat kishte shpresuar Kievi, por se dy palët kanë arritur tashmë një mirëkuptim për evakuimin e civilëve.

Bisedimet, për të cilat nuk u publikua vendi ku u mbajtën, shënojnë herën e parë që palët bien dakort për ndonjë lloj progresi që nga fillimi i sulmit të forcave ruse.

Këshilltari i presidentit ukrainas tha se armëpushimi nuk do të vendoset kudo, por vetëm përgjatë korridoreve dhe aty ku do të jetë e mundur të ndalen luftimet. Ai shtoi se është arritur një mirëkuptim për dërgim barnash dhe ushqimi në vendet ku po zhvillohen luftimet më të ashpra.