Ukraina shënon të enjten një javë që nga fillimi i agresionit të Rusisë ndaj saj, ndërsa forcat ruse vazhduan bombardimin e qyteteve kryesore dhe numri i refugjatëve që u larguan nga Ukraina arriti në mbi 1 milion.
Pavarësisht sulmeve ruse në Kharkiv, Chernihiv dhe Mariupol, ministria britanike e Mbrojtjes tha të enjten se mbeten në duart e Ukrainës. I paqartë ishte statusi i Khersonit, me trupat ruse të pranishme në qytet, mes pretendimeve të diskutueshme se kush e kontrollon qytetin.
Lexoni edhe këtë Forcat ruse thonë se kanë vënë nën kontroll Khersonin në jug të Ukrainës“Ne jemi një popull që brenda një jave kemi shkatërruar planet e armikut”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në një video-fjalim herët të enjten. “Ata nuk do të kenë paqe këtu. Nuk do të kenë ushqim. Nuk do të kenë këtu asnjë moment të qetë”.
Të enjten pritet edhe një raund i dytë i bisedimeve të paqes midis dy palëve, megjithëse ka pak shenja të një përparimi të mundshëm. Një takim fillestar të hënën përfundoi vetëm me plane për bisedime të mëtejshme.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara mbeten të hapura për të gjetur një zgjidhje diplomatike për situatën, por se Rusia duhet së pari të ulë tensionet ushtarake.
"Është shumë më e vështirë për diplomacinë të ketë sukses kur armët shkrepen dhe tanket janë në lëvizje”, u tha ai gazetarëve të mërkurën.
Lexoni edhe këtë Blinken: Uashingtoni i hapur ndaj diplomacisë mbi Ukrainën; vështirë të ndodhë pa ulje të tensioneveSekretari Blinken do të qëndrojë në Evropë për një seri takimesh me NATO-n dhe aleatët e tjerë lidhur me përgjigjen e tyre ndaj agresionit rus në Ukrainë. Ministrat e Jashtëm të NATO-s do të mblidhen të premten në një takim të jashtëzakonshëm në Bruksel dhe të shtunën sekretari Blinken udhëton për në Poloni për të diskutuar për sigurinë dhe ndihmën humanitare për refugjatët që kanë ikur nga Ukraina.
Polonia ka pranuar gjysmën e më shumë se 1 milion refugjatëve që janë larguar nga Ukraina, sipas Komisionarit të Lartë të OKB-së për Refugjatët. Organizata e OKB-së pret që 4 milionë njerëz mund të largohen nga Ukraina për shkak të konfliktit.
Agjencia e emergjencës e Ukrainës, tha të mërkurën se sulmet e Rusisë kanë lënë pas vetes më shumë se 2,000 të vrarë në gjithë vendin.
Ministria ruse e Mbrojtjes, publikoi raportin e saj të parë të viktimave, duke thënë se 498 nga trupat e saj janë vrarë në Ukrainë, ndërsa më shumë se 1,500 të tjerë janë plagosur.
Një zyrtar i lartë amerikan i Mbrojtjes, u tha gazetarëve të mërkurën se forcat ruse që po përpiqeshin të merrnin kryeqytetin ukrainas, Kiev, janë "të bllokuara jashtë qendrës së qytetit".
Forcat ruse, përfshirë një autokolonë masive, nuk kanë bërë "asnjë lëvizje të dukshme", tha zyrtari, duke shtuar se përparimet ruse në qytete të tjera, si Chernihiv dhe Kharkiv gjithashtu kishin ngecur.
Ndërkohë, dërgesat e ndihmave për Ukrainën vazhduan të arrinin, sipas zyrtarëve amerikanë.
Pentagoni shprehu të mërkurën gjithashtu shqetësimin se forcat ruse po bëhen më agresive, duke vënë në rrezik më të madh civilët dhe infrastrukturën civile.
Zyrtari i lartë amerikan i Mbrojtjes tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se që nga fillimi i agresionit të enjten e kaluar, Rusia ka hedhur më shumë se 450 raketa, por se sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore të Ukrainës, mbeten të qëndrueshme.
Zyrtari tha se ngecja e forcave ruse rreth Kievit, pavarësisht fuqisë së tyre, mund të jetë rrjedhojë e disa faktorëve, duke përfshirë mungesën e karburantit dhe ushqimit dhe një mbrojtjeje të fuqishme nga forcat ukrainase.
“Ne gjithashtu besojmë se ata (forcat ruse) kanë pasur probleme morale që kanë çuar në përparim më pak se efektiv operacional”, shtoi zyrtari, duke paralajmëruar se shërbimet amerikane të zbulimit presin që forcat ruse të përshtaten për të vazhduar me sulmin masiv.
Pentagoni njoftoi gjithashtu se po shtynë për më vonë provën e një rakete bërthamore të planifikuar për këtë javë. Njoftimi u bë disa ditë pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për të vendosur forcat e tij bërthamore në gatishmëri më të lartë.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, tha se vendimi për të shtyrë provën e një rakete balistike ndërkontinentale, Minuteman III, u mor nga Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin. Zoti Kirby shtoi se Shtetet e Bashkuara do të dëshironin të shihnin Moskën të përgjigjet duke "ulur temperaturën" në krizën rreth Ukrainës.
Një faktor tjetër që mund t'i ndihmojë ukrainasit, është mbështetja e vazhdueshme nga NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara.
Sekretari Blinken tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione gjithëpërfshirëse ndaj sektorit rus të mbrojtjes.
"Në tërësi, 22 entitete ruse të lidhura me mbrojtjen do të sanksionohen, duke përfshirë kompanitë që prodhojnë avionë luftarakë, automjete luftarake për këmbësorinë, raketa, fluturake pa pilot, sisteme të luftës elektronike - të njëjtat sisteme që përdoren tani për të sulmuar popullin ukrainas, për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe shkeljen e ligjit ndërkombëtar humanitar”, tha sekretari Blinken, duke nënvizuar se sanksione do të vendosen edhe ndaj Bjellorusisë.