Bombardime të rënda në Kharkiv në ditën e gjashtë të agresionit rus në Ukrainë

Qyteti i dytë më i madh i Ukrainës u përball me bombardime të shtuara të martën, ndërsa një autokolonë e forcave ruse u shtri përgjatë një rruge në veri të kryeqytetit ukrainas, Kiev, në ditën e gjashtë të agresionit të Rusisë ndaj fqinjit të saj.

Ministria e Jashtme e Ukrainës shpërndau një video të ndërtesës së administratës Shtetërore Rajonale të Kharkivit. “Rusia po bën luftë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare”, shkroi ministria në rrjetin Twitter. “Vret civilët, shkatërron infrastrukturën civile. Objektivi kryesor i Rusisë janë qytetet e mëdha që tani qëllohen nga raketat e saj”.

Nuk kishte informacion të menjëhershme për viktima nga ai sulm, por autoritetet në Kharkiv thanë se sulmet e përgjithshme ruse kanë lënë pas vetes të paktën 11 të vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.

Forcat ruse në veri të Kievit po vëzhgohen nga afër mes frikës së një sulmi në kryeqytet. Pamjet satelitore nga ‘Maxar Technologies’ kanë treguar se autokolona e forcave ruse është e gjatë rreth 64 kilometra.

“Për armikun, Kievi është objektivi kryesor”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në një video-mesazh të hënën vonë. “Nuk i lamë ta thyejnë mbrojtjen e kryeqytetit dhe ata po dërgojnë diversantë... Do t’i neutralizojmë të gjithë”.

Kremlini tha se presidenti rus, Vladimir Putin, i tha presidentit francez, Emmanuel Macron, në një telefonatë të hënën se një zgjidhje mund të ndodhë vetëm nëse merren parasysh "interesat legjitime ruse të sigurisë", duke përfshirë çmilitarizimin e Ukrainës.

Australia njoftoi të martën planet për të dërguar raketa në Ukrainë si pjesë e një pakete ndihmash prej 50 milionë dollarësh. Kryeministri australian, Scott Morrison, u tha gazetarëve se ndihma është përgjigje ndaj thirrjes së presidentit Zelenskyy për aleatët ukrainas, që t'i dërgojnë vendit të tij mbështetje ushtarake për të kundërshtuar pushtimin rus dhe "kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë", tha kryeministri Morrison.

Ligjvënësit amerikanë po shqyrtojnë një kërkesë të Shtëpisë së Bardhë për 6.4 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare për Ukrainën. Ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Oksana Markarova, i tha një grupi të senatorëve amerikanë në një takim të hënën se Ukraina ka nevojë për më shumë armë.

"Është Davidi kundër Goliatit", tha senatori republikan, Jim Risch, nga Komiteti për Marrëdhënie Ndërkombëtare, duke vënë në dukje përmasat shumë më të mëdha të ushtrisë ruse. "Unë mendoj se çdo qenie njerëzore që lexon raportet që dalin prej andej, e kupton se kjo është e tmerrshme".

Ambasadorja Markarova gjithashtu bëri thirrje për sanksione amerikane kundër sektorëve të naftës dhe gazit të Rusisë, pasi u bashkuan me shumë vende të tjera për të ushtruar trysni ekonomike ndaj Putinit, me sanksione që synojnë zyrtarët e lartë, afaristët dhe sistemin financiar rus.

"Ne duhet të shqyrtojmë ndalimin e rrjedhës së energjisë nga Rusia në Shtetet e Bashkuara dhe të angazhojmë aleatët tanë në të njëjtën kauzë", tha senatori demokrat, Richard Blumenthal.

Një raund bisedimesh paqeje midis zyrtarëve ukrainas dhe rusë, përfundoi pas pesë orësh të hënën pa ndonjë zgjidhje, pasi pala ukrainase kërkoi një armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqjen e trupave ruse. Të dyja palët pritet të takohen sërish, por ende nuk është caktuar data.

Zyrtarët amerikanë shprehën dyshime mbi synimet e Rusisë gjatë bisedimeve.

"Diplomacia nën tytën armës, diplomacia nën frëngjinë e një tanku - kjo nuk është diplomaci e vërtetë", u tha gazetarëve të hënën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price. "Ne jemi të gatshëm, ashtu siç janë partnerët tanë ukrainas, ashtu siç janë aleatët tanë evropianë, të angazhohemi në diplomaci reale, thelbësore, të vërtetë, në mënyrë që të shohim nëse mund të gjejmë një rrugëdalje nga një konflikt i panevojshëm, brutal”.

Negociatori rus, Vladimir Medinsky, tha të hënën se qëllimi i Rusisë ishte një marrëveshje “në interes të të dyja palëve”.

Presidenti Zelenskyy përsëriti të hënën thirrjen e tij për vendosjen e një zone të ndalim-fluturimit, për të parandaluar sulmet ruse nga ajri.

“Negociatat e drejta mund të ndodhin kur njëra palë nuk godet palën tjetër me raketa pikërisht në momentin e negociatave”, tha presidenti Zelenskyy.

Duke u përgjigjur në pyetjen e Zërit të Amerikës, Pentagoni tha se Shtetet e Bashkuara nuk po shqyrtonin një masë të tillë.

“Hapësira ajrore mbi Ukrainën mbetet e kontestuar. Rusët nuk kanë arritur epërsi ajrore mbi të gjithë vendin. Mbrojtja ajrore e Ukrainës mbetet e paprekur dhe e qëndrueshme...”, u tha gazetarëve të hënën një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes.

Zyrtari shtoi se duket se forcat ruse po përpiqeshin të shkëpusnin pjesën lindore të Ukrainës duke kontrolluar tokën nga Kharkivi në Mariopol në jug. Asnjë qytet nuk ishte thyer nga përparimet ruse, megjithëse Kharkivi ka përjetuar "luftimet më të rënda", sipas zyrtarëve.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tani ka angazhuar në agresion gati 75 për qind të fuqisë luftarake të para-pozicionuar rreth kufijve të Ukrainës. Por, videot e postuara në rrjetet sociale, tregojnë se linjat e tankeve dhe automjeteve të blinduara ruse janë zhdukur. Sipas zyrtarëve, avionë luftarakë dhe helikopterë janë rrëzuar dhe trupat ruse janë bllokuar në anë të rrugëve, pasi automjetet e tyre mbetën pa karburant.

Më shumë se 520,000 refugjatë janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje, sipas Komisionarit të Lartë për Refugjatët, Filippo Grandi.

*Disa informacione për këtë raport u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.