Banorët e Rusisë po përballen me të ardhme të pasigurt ekonomike ndërsa çmimet rriten, pasi sanskionet perëndimore që erdhën si kundërpërgjigje e sulmeve ruse mbi Ukrainën, shkaktuan rënien e vlerës së rublës me 30 për qind. Para bankave të vendit janë parë sot radhë të gjata të banorëve për të tërhequr para mes pasigurisë për të ardhmen e depozitave të tyre.
Rubla ruse po vazhdon të përjetojë rënie të madhe kundrejt dollarit amerikan dhe euros, pas sanksioneve të pashembullta të Perëndimit mbi Moskën në kundërpërgjigje të sulmeve ruse në Ukrainë.
Mëngjesin e së hënës, monedha ruse regjistroi rënie prej rreth 30 për qind kundrejt dollarit amerikan, pas njoftimit të vendeve perëndimore për bllokimin e disa bankave ruse nga sistemi i pagesave ndërkombëtare SWIFT dhe kufizimit të përdorimit nga Rusia të rezerave të saj të mëdha në valuta të huaja.
Zhvlerësimi i rublës nënkupton rënie e standardit të jetesës për rusët, thonë ekonomistët. Rusët janë ende të varur nga një mori mallrash të importuara, ndërsta çmimet për këto artikuj ka të ngjarë të rriten jashtëzakonisht shumë.
Udhëtimet ndërkombëtare do të shtrenjtohen pasi rublat vlejnë më pak jashtë Rusisë. Trazirat ekonomike mund të thellohen në javët e ardhshme nëse rritja e çmimeve dhe problemet e zinxhirit të furnizimit shkaktojnë mbylljen e fabrikave ruse për shkak të rënies së kërkesave.
Ditëve të fundit, para bankave ruse vërehen radhë të gjata të banorëve që presin të tërheqin paratë e tyre nga pasiguria e së ardhmes ekonomike të vendit të tyre.
"Ekonomia jonë do të përkeqësohet edhe më shumë. Në këto rrethana është e pashmangshme, por nuk krahasohet me humbjet e atyre që po vdesin në shtëpitë e tyre për fajin e forcave tona”, thotë Anastasia, banore e Moskës.
"Unë nuk kam shumë kursime. Të shohim çfarë do të ndodhë“, thotë Dmitry.
"E vështirë ta thuash, ende nuk e kam ndier shumë ndryshimin”, thotë Maria, banire tjetër e Moskës.
" Çmimet po rriten, kursimet po shpenzohen dhe stoqet po bien”, thotë Sergey, banor i Moskës.
Banka qendrore e Rusisë ndërhyri menjëherë në përpkjekje për të ndalur rënien e mëtejshme të rublës, duke rritur normën bazë të interesit, një përpjekje e dëshpëruar për të mbështetur monedhën dhe për të parandaluar rrezikun për bankat.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i përshkruajti sansksonet e reja që përfshinin ngrirjen e rezervave të valutës së Rusisë si “të rënda”, por tha të hënën se “Rusia ka aftësinë e duhur për të kompensuar dëmin”.
Ndërkohë, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare u rrit me 4 për qind duke arritur në 100 dollarë për fuçi.
Kjo nuk është hera e parë që rubla përballet me kriza të mëdha. Monedha humbi një pjesë të madhe të vlerës së saj në fillim të viteve 90, pas fundit të Bashkimit Sovjetik. Një rënie e mëtejshme ishte regjistruar edhe gjatë krizës financiare të vitit 1998 kur shumë persona humbën kursimet e tyre. Një tjetër rënie u shënua më 2014 për shkak të rënies së çmimeve të naftës dhe sanksioneve të vendosura pasi Rusia aneksoi nga Ukraina gadishullin e Krimesë.
Sanksionet e vendosura javën e kaluar shkaktuan një ulje historike të monedhës ruse kundrejt dollarit amerikan.