Aleati i Putinit, Lukashenko, pritet të urdhërojë hyrjen e forcave bjelloruse në Ukrainë

Shërbimet amerikane të zbulimit, presin që që udhëheqësi bjellorus, Alexander Lukashenko, të angazhojë ushtrinë e tij prej 48,000 trupash në Ukrainë, në orët ose ditët e ardhshme, për të mbështetur Rusinë në agresionin e saj në Ukrainës.

Deri më tani, Bjellorusia është përdorur si terren për forcat ruse për të goditur Kievin nga veriu dhe besohet se vetëm disa forca të posaçme bjelloruse kanë marrë pjesë në ndonjë luftim, por me agresionin e Rusisë që ka hasur në rezistencë më të fortë sesa mund të kishte pritur Kremlini dhe me Kievin që vazhdon ende të mbahet, udhëheqësi rus, Vladimir Putin, duket se po i drejtohet aleatit të tij të vjetër për të forcuar sulmin.

Përfshirja e plotë e Bjellorusisë rrezikon hapjen e një vije tjetër të frontit në luftë. me frikën se forcat bjelloruse jo vetëm që do të përforcojnë rrethimin rus të kryeqytetit të Ukrainës, por gjithashtu do të mund të godasin më gjerësisht në veriperëndim dhe qendër të Ukrainës, duke rrezikuar Lvivin, ku dhjetëra mijëra të evakuuar janë të bllokuar dhe presin deri në dy ditë për të kaluar kufirin për në Poloni.

Udhëheqësi bjellorus, Lukashenko ka thënë më parë se forcat e tij nuk do të marrin pjesë në asnjë veprim ushtarak kundër Ukrainës. Më 24 shkurt, pas një takimi me Putinin, ai njoftoi se kishte rënë dakord të mbante trupat ruse të stacionuara në Bjellorusi. Që atëherë, ai ka thënë se Ukraina po humbet luftën dhe ka ofruar të organizojë bisedimet e paqes.

Bisedimet

Bjellorusia tha të hënën se ka përgatitur një vend për bisedime midis delegacioneve nga Ukraina dhe Rusia. Ukraina ka rënë dakord të dërgojë përfaqësues për bisedimet, por fillimisht hezitoi të angazhohej, për shkak të rolit të Bjellorusisë në konflikt, duke lejuar forcat ruse të nisin sulme nga territori i saj drejt Kievit dhe Ukrainës verilindore.

Ukraina është zotuar të mos lëshojë pe në bisedimet, të cilat mbahen në ditën e pestë të agresionit rus. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, tha se nuk ka shumë pritje nga bisedimet në Bjellorusi.

“Nuk besoj realisht në rezultatin e këtij takimi, por le të përpiqemi që më vonë asnjë qytetar i Ukrainës të mos ketë dyshime se unë, si president, u përpoqa ta ndaloja luftën, kur kishte edhe një mundësi të vogël, por ende një mundësi”, tha ai në një mesazh të postuar në Telegram.

Zyrtarët amerikanë i thanë Zërit të Amerikës se Lukashenko ka të ngjarë ta shtyjë Bjellorusinë më thellë në luftë, në varësi të rezultatit të bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës.

Vlerësimi i shërbimeve amerikane të zbulimit u bënë në të njëjtën kohë me paralajmërimet e bëra të dielën nga personalitete të opozitës bjelloruse se Lukashenko po përgatitej të hynte plotësisht në luftë. Të dielën, votuesit në Bjellorusi miratuan një reformë kushtetuese që do t'i lejojë vendit të mbajë armë bërthamore dhe stacionimin e e përhershëm të forcave tokësore ruse.

Komisioni i Zgjedhjeve në Bjellorusi thotë se rreth 65 për qind pjesëmarrësve hodhën votën në favor të ndryshimit, i cili do të lejojë Rusinë të vendos armët bërthamore në vend. Udhëheqësit e opozitës bjelloruse e denoncuan këtë veprim si tradhti dhe tha se votimi ishte i manipuluar.

Përfshirja më e madhe e Bjellorusisë ngre shqetësimin se përleshjet dhe sulmet me raketa, që ndodhin shumë afër kufirit polak, të prekin Poloninë, paralajmërojnë disa analistë ushtarakë.