Rusia nën trysni diplomatike e ekonomike, ndërsa Ukraina po i reziston agresionit

Trysnia diplomatike dhe ekonomike ndaj Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë, u rrit të hënën me caktimin e sesionit urgjent të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rënien e monedhës ruse në një nivel të ulët rekord dhe shtimin e sanksioneve të reja kundër bankës qendrore të Rusisë.

Ndërsa agresioni hyri në ditën e pestë, ushtria ukrainase tha se forcat ruse kishin ngadalësuar "ritmin e sulmit”.

Ministria britanike e Mbrojtjes, tha të hënën se trupat ruse ndodhen më shumë se 30 kilometra në veri të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, duke shtuar se “dështimet logjistike dhe rezistenca e palëkundur ukrainase vazhdojnë të pengojnë përparimin e forcave ruse”.

Kjo përputhej me vlerësimin e një zyrtari të lartë amerikan të mbrojtjes, i cili u tha gazetarëve të dielën se “nuk kemi asnjë tregues se ushtria ruse ka marrë kontrollin e ndonjë qyteti".

Trupave ruse së shpejti mund t'u bashkohen forcat nga Bjellorusia, aleatja e Rusisë, sipas zyrtarëve amerikanë që folën me disa media.

Mes sanksioneve tjera, Britania i ndaloi entitetet e saj të kryejnë transaksione me bankën qendrore të Rusisë dhe ministrinë e Financave, ndërsa Singapori njoftoi një sërë sanksionesh që përfshijnë shënjestrimin e transaksioneve bankare dhe kontrollet e eksportit.

Një ditë pasi Bashkimi Evropian tha se po dërgonte armatime në Ukrainë, Australia u angazhua të hënën për një dërgesë të pajisjeve ushtarake vdekjeprurëse.

Lexoni edhe këtë BE do të mbyllë hapësirën ajrore për kompanitë ruse dhe do të blejë armatime për Ukrainën

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti amerikan, Joe Biden, do të bisedojë në telefon me një numër aleatesh të hënën, për të diskutuar zhvillimet e fundit në Ukrainë “dhe për të bashkërenduar përgjigjen tonë të përbashkët”.

Ukraina tha të dielën se të paktën 350 civilë janë vrarë që nga fillimi i agresionit të Rusisë javën e kaluar, ndërsa 1700 të tjerë janë plagosur. Nuk pati asnjë informacion për viktimat në mesin e forcave ukrainase, dhe ndërsa Rusia pranoi se ka viktima në mesin e trupave të saj, por pa bërë publik ndonjë numër.

Filippo Grandi, i Komisariatit të lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatët, tha të hënën se më shumë se 500, 000 refugjatë nga Ukraina kishin kaluar në Poloni, Hungari, Rumani, Moldavi dhe vende të tjera.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i tha të dielën ministrit rus të Mbrojtjes që të vendosë forcat bërthamore në një "status të posaçëm të gatishmërisë luftarake" për shkak të “deklaratave agresive nga udhëheqësit e NATO-s dhe sanksioneve ekonomike kundër Moskës”.

Pas një votimi për një seancë të rrallë të posaçme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ambasadorja amerikane, Linda Thomas-Greenfield, iu përgjigj veprimeve të Putinit, duke thënë se Rusia “nuk është nën kërcënimin e NATO-s, një aleancë mbrojtëse që nuk do të luftojë në Ukrainë. Ky është një hap tjetër përshkallëzues dhe i panevojshëm, që na kërcënon të gjithëve. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që të zbusë retorikën e saj të rrezikshme në lidhje me armët bërthamore”, tha ajo.

Lexoni edhe këtë Rusia vë në gatishmëri të lartë forcat bërthamore

Një zyrtar i lartë amerikan i Mbrojtjes, u tha gazetarëve se vendimi i Rusisë ishte "i panevojshëm" dhe "përshkallëzues".

"Ne kemi besim se kemi aftësinë për të mbrojtur atdheun dhe për të mbrojtur aleatët dhe partnerët tanë”, tha zyrtari ndërsa nuk pranoi të diskutonte më tej për masat parandaluese bërthamore të Shteteve të Bashkuara.

Rusia votoi kundër seancës së posaçme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së prej 193 anëtarësh, por nuk mund të ushtronte të drejtën e vetos. Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe India, abstenuan.

Duke shpjeguar votën e Kinës, ambasadori kinez në OKB. Zhang Jun, tha se Pekini beson që përparësi tani është që të gjitha palët të ushtrojnë vetëpërmbajtjen e nevojshme për të parandaluar përkeqësimin e situatës.

"Veprimet e OKB-së duhet të ndihmojnë në qetësimin e situatës, lehtësimin e zgjidhjeve diplomatike dhe frenimin e përkeqësimit të tensioneve", tha ambasadori Zhang.

Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ra dakord të dërgojë një delegacion në kufirin e Bjellorusisë, për të nisur bisedimet e paqes me Rusinë, pa parakushte.

“Ne ramë dakord që delegacioni ukrainas të takohet me delegacionin rus pa parakushte, në kufirin Ukrainë-Bjellorusi, pranë lumit Pripyat”, tha zyra e tij në një deklaratë.

Më herët, presidenti Zelenskyy, kishte thënë se do të hynte në bisedimet e paqes me Rusinë, por përjashtoi mundësinë e takimit brenda Bjellorusisë, territorin e së cilës Rusia e kishte për të nisur sulmet e saj ndaj Ukrainës.

Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova, theksoi se qeveria e saj ishte e gatshme për bisedime paqeje, por jo e gatshme të dorëzohej. Ukraina ka ngritur një rast kundër Rusisë në gjykatën më të lartë të OKB-së, duke akuzuar se Rusia përdori pretendime të rreme për gjenocid në rajonet Luhansk dhe Donetsk të Ukrainës lindore, për të justifikuar agresionin e saj dhe tani po planifikon akte gjenocidale diku tjetër në Ukrainë.

“Ata po përdorin raketa dhe artileri të rëndë dhe trupa anembanë vendit për të synuar në thelb infrastrukturën civile, spitalet, tani po shohim që edhe kopshtet e fëmijëve...”, i tha rrjetit ABC, ambasadorja Markarova.