Shteti gjerman që ndihmoi në ndërtimin e gazjellësit "Nord Stream"

Nord Stream 2

Në shtetin verior gjerman të Meklenburg-Forpomernit, vendlindja e ish-kancelares Angela Merkel, lidhjet me Rusinë janë të thella – aq të thella, në fakt, saqë udhëheqësit e saj kanë mbrojtur projektin për ndërtimin e gazsjellësit Nord Stream 2 të Kremlinit që Shtetet e Bashkuara thonë se ndihmoi në dëmtimin e Ukrainës. Gjermania ndërpreu të martën, 22 shkurt çertifikimin e gazsjellësit në shenjë hakmarrjeje për vendimin e Rusisë për të njohur dy rajone separatiste në Ukrainën lindore, pak para se të sulmonte dhe ta sillte Evropën në prag të një lufte madhore.

Meklenburg-Forpomern është vendi ku përfundojnë tubacionet e gazsjellësit Nord Stream 2, që çojnë gaz drejtpërdrejt në Gjermani, duke anashkaluar Ukrainën. Shtetet e Bashkuara argumentuan për një kohë të gjatë se gazsjellësi do të dobësonte Ukrainën; Gjermania dhe Rusia këmbëngulën se projekti ishte thjesht komercial. Megjithatë, në vitin 2019 Uashingtoni vendosi sanksione ndaj disa kompanive dhe individëve që po ndihmonin në ndërtimin e tij, duke mbrojtur qëndrimin se gazsjellësi ishte një mjet për të mbështetur agresionin rus ndaj Ukrainës.

Your browser doesn’t support HTML5

Shteti gjerman që ndihmoi në ndërtimin gazjellësit "Nord Stream 2"

Janarin e kaluar, kryeministrja rajonale, Manuela Schwesig, ndërmori veprime për të mbështetur projektin rus. Me iniciativën e saj, parlamenti i këtij shteti votoi për krijimin e një fondacioni të posaçëm, i cili do të ndihmonte në realizimin e projektit.

Nord Stream 2 do të dyfishonte sasinë e gazit që Rusia mund të çonte direkt në Gjermani, klienti i saj më i madh për gaz, do ta mbronte Gjermaninë dhe Evropën nga ndërprerjet e furnizimit të shkaktuara nga mosmarrëveshjet midis Rusisë dhe Ukrainës dhe do të sillte përfitime ekonomike për Mecklenburg-Vorpommernin, një rajon relativisht i privuar që dikur ishte në Republikën Demokratike Gjermane.

Por këtë vit, ndërsa Rusia rriti presionin ndaj Ukrainës, u ngritën pikëpyetje rreth fondacionit, të quajtur Fondacioni për Mbrojtjen e Klimës dhe Mjedisit. Nuk dihet kush po drejtonte operacionin e tij përveç se personi ishte emëruar nga Nord Stream 2 AG, një kompani në pronësi të Gazprom-it, e cila kontrollohet plotësisht nga shteti rus.

I pyetur se kush ishte ai, Nord Stream 2 me bazë në Zvicër nuk u përgjigj. Gazpromi nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Të martën (22 shkurt) qeveria rajonale e Mecklenburg-Vorpommern tha se i kishte kërkuar Fondacionit të ndalonte punën e tij. “Qeveria gjermane sapo vendosi të ndalojë çertifikimin e Nord Stream 2 deri në një njoftim të dytë dhe padyshim që ne e mbështesim këtë vendim. Ne si shtet vendosëm t'i kërkojmë Fondacionit për Klimën dhe Mjedisin që të ndalin punën e tyre", u tha gazetarëve nënkryetarja e shtetit, Sabine Oldenburg.

Ndërsa Rusia po pushton Ukrainën, pyetje të tjera po shtohen mbi lidhjet mes gazsjellësit, Partisë Social Demokrate (PSD) në pushtet në Gjermani dhe Moskës. Kryeministrja rajonale Schwesig është, ashtu si kancelari Olaf Scholz, anëtare e PSD-së, e cila tradicionalisht mbron afrimin me Rusinë.

Po kështu është edhe Gerhard Schroeder, një ish-kancelar që e ka përshkruar veten si mikun personal të Putinit. Një nga veprimet e tij të fundit në detyrë në vitin 2005 ishte nënshkrimi i marrëveshjes për krijimin e projektit Nord Stream 2. Menjëherë pas kësaj, ai u bë kryetar i kompanisë pas projektit - i pari nga disa pozicione drejtuese që ai ka marrë në kompanitë ruse të energjisë.

Tani, kundërshtimi ndaj lobimit të tij po bëhet gjithnjë e më i zjarrtë në të gjithë Gjermaninë. Zonja Schwesig dhe zoti Schroeder nuk pranuan të komentojnë për këtë material.

Në vitin 2019, zoti Scholz kundërshtoi sanksionet amerikane si ndërhyrje në punët e Gjermanisë. Të martën, pasi Rusia njohu zyrtarisht dy rajonet e shkëputura, ai vendosi të ndalojë certifikimin e tubacionit.

Ndërsa kancelari Scholz pezulloi gazjellësin Nord Stream 2, presioni u rrit mbi të për të kërkuar hollësi nga paraardhësi i tij Schroeder lidhur me lobimin për Gazpromin.

Politikanët nga opozita dhe partia e vogël e koalicionit Demokratët e Lirë i kërkuan qeverisë t'i hiqte Schroeder-it privilegjet e tij si ish-kancelar. Disa thanë se ai duhet të kthejë paratë e taksapaguesve të shpenzuara në vitet e mëparshme nëse shpenzimet mund të lidhen me aktivitetet e tij lobuese.

Javën e kaluar, në një takim me kancelarin Scholz në Kremlin, presidenti Putin lavdëroi zotin Schroeder ndërsa kancelari Scholz u distancua nga paraardhësi i tij. “Ai flet për veten e tij, jo për qeverinë”, tha kancelari.

Në Mecklenburg-Vorpommern, mbështetja për gazsjellësin Nord Stream 2 është me bazë të gjerë, duke përfshirë CDU-në rajonale - partinë e Merkelit. Zonja Merkel, e cila ka qenë kritike ndaj Putinit, nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Njerëzit në rajon kanë një marrëdhënie të ndryshme me Rusinë nga ata në Gjermaninë Perëndimore, thotë Franz-Robert Liskow, kreu i grupit parlamentar të CDU-së.

“Ishte e qartë se ky projekt ishte në interesin e Gjermanisë dhe në interesin ekonomik për të lidhur Nord Stream 2 me rrjetin e energjisë, për të siguruar furnizimin për Gjermaninë. Mbetem i bindur se ne kishim nevojë për këtë gazsjellës. Megjithatë, tani kemi një situatë të re. Pushtimi i Ukrainës nga Federata Ruse është një tragjedi. Simpatia ime është me popullin e Ukrainës dhe ndaj pa rezerva pikëpamjen e kancelarit Scholz se është e drejtë të ndalohet çertifikimi i gazsjellësit Nord Stream 2. Interesat ekonomike duhet të vijnë në vend të dytë tani. Ne duhet të pozicionohemi shumë qartë kundër shkeljes së ligjit ndërkombëtar që është kryer”.

Në një sondazh të janarit 2021, pak më shumë se 70% e të anketuarve rajonalë mendonin se tubacioni do të ishte i rëndësishëm për furnizimin me energji të Gjermanisë. Në Gjermaninë lindore më gjerësisht, 74% e mbështetën gazsjellësin vitin e kaluar. Pasi Shtetet e Bashkuara vepruan për të sanksionuar linjën, një sondazh i tretë zbuloi se 24% e gjermanolindorëve mendonin se Gjermania duhet të përgjigjet me kundërsanksione.

Në rrugën pranë Fondacionit, kalimtari Matthias Bach totë se interesat e Rusisë ishin të njohura për një kohë të gjatë.

"Me gazsjellësin Nord Stream 2, Ukraina është lënë jashtë dhe të gjithë e dinë se çfarë ka në mendje Moska me Ukrainën. Putini tha pesë vjet më parë, se Ukraina në fakt i përket Rusisë. Kjo ishte e qartë për të gjithë. Pra nuk e kuptoj, çfarë thotë Schroederi dhe të tjerët si ai. E bëjnë për para dhe interesa personale. Çfarë tjetër?" pyet Matthias Bach.