Krizë refugjatësh në kufijtë evropianë; 150 mijë ukrainas janë larguar deri tani nga vendi

Refugjatët ukrainas duke mbërritur në pikën kufitare Medika, Poloni (26 shkurt 2022)

Sulmi rus ndaj Ukrainës mund të detyrojë deri në 4 milionë ukrainas t'i largohen vendit të tyre, duke shkaktuar kështu krizën më të rëndë të refugjatëve në Evropë në më shumë se 70 vjet, thanë këtë javë Kombet e Bashkuara.

Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, deri të shtunën në mëngjes mbi 150 mijë ukrainas kishin kaluar në vendet fqinje. Mendohet se 75 mijë prej tyre gjenden në Poloni.

Zoti Grandi njoftoi të shtunën në mëngjes nëpërmjet Twitter-it se numri i të zhvendosurve brenda Ukrainës "gjithashtu po rritet, por situata ushtarake e bën të vështirë përllogaritjen e numrave dhe ofrimin e ndihmës".

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi

Polonia, së bashku me Moldavinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Hungarinë, kanë lehtësuar masat e kontrollit kufitar të vendosura për shkak të COVID-19, në mënyrë që t'u mundësojnë ukrainasve t'i largohen dhunës ruse. Qeveria polake njoftoi hapjen e kufijve të saj dhe tha se nuk do të kërkojë paraqitjen e dokumentave zyrtare.

"Do t'i ndihmojmë të gjithë. Nuk do të lëmë askënd pa ndihmë", tha agjensia kufitare polake.

Sipas agjensisë së lajmeve Associated Press, radha e makinave në pikën kufitare Medyka, mes Polonisë dhe Ukrainës, ishte 15 kilometra e gjatë.

Maia Sandu, Presidente e Moldavisë, shkruajti të enjten në Twitter se "qeveria ka ngritur qendra të përkohshme strehimi në Palanca dhe Ocnita. Kufijtë tanë janë të hapur për shtetasit ukrainas që kanë nevojë për tranzit apo qëndrim të sigurtë".

Refugjatët janë kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar, pasi më herët këtë javë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ndaloi largimin nga vendi të meshkujve të moshës që mund të mbajnë armë.

Autoritetet polake duke ndihmuar refugjatët që mbërrijnë nga Ukraina (26 shkurt 2022)

Në Shtetet e Bashkuara, administrata e Presidentit Biden i ka kërkuar Kongresit miratimin e ndihmës prej 6.4 miliardë dollarësh për Ukrainën, një pjesë e së cilës do të përdoret për ndihma humanitare.

Senatori amerikan Chris Coons, kryetar i komisionit për buxhetin e operacioneve të jashtme, i cili mbikqyr asistencën humanitare për vendet e tjera, u tha gazetarëve të premten se mbështet dhënien e të paktën 10 miliardë dollarëve për ushtrinë ukrainase dhe refugjatët.

* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjensitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters.