Vaksinat për COVID-19 kanë rezultuar efektive kundër simptomave të koronavirusit. Por një studim i ri në Britani ka arritur në përfundimin se ato ndihmojnë gjithashtu për të trajtuar simptomat e COVID-it që zgjat në kohë, përfshirë lodhjen dhe vështirësitë në frymëmarrje.
Peter Nagy përfundoi në njësinë e kujdesit intensiv me mushkëri të zmadhuara. 61-vjeçari nuk ishte vaksinuar për COVID-19 dhe kishte simptoma të rënda. Ai vazhdon ende të vuajë pasojat e COVID-it.
"Problemet më të mëdha që ndjej për momentin janë një farë mjegullimi i trurit, harresa, lodhja e skajshme që ndiej ndonjëherë dhe thjesht më mungon energjia," thotë zoti Nagy.
Ai është penduar që nuk ishte vaksinuar, gjë që mund t'ia kishte bërë simptomat më të lehta. Të dhënat e reja që sugjerojnë se vaksinat janë efektive edhe kundër COVID-it afatgjatë, e bëjnë të ndjehet edhe më keq.
Agjencia britanike për Sigurinë Shëndetësore ka arritur në përfundimin se pacientët e vaksinuar kanë afro 50 për qind më pak gjasa sesa ata që kishin marrë vetëm një dozë, ose ishin të pavaksinuar, të kenë simptoma që zgjasin më shumë se 28 ditë.
Sipas studimeve të cituara në raportin e Agjencisë për Sigurinë Shëndetësore, edhe vaksinimi pas infektimit mund të kontribuojë tek lehtësimi i simptomave të COVID-it që zgjat për shumë kohë, megjithëse nuk ka prova të mjaftueshme që këto gjetje të konsiderohen përfundimtare.
"Tek disa persona, simptomat po lehtësohen pas vaksinave. A po ndodh kjo pasi vaksinimi stimulon sistemin imunitar, i cili nga ana e tij eliminon virusin apo fragmentet virale të mbetura?" thotë Dr. Nathalie MacDermott, e Kolegjit King të Londrës.
Lyth Hishmeh është një tjetër pacient me COVID të gjatë. Virusi e detyroi atë të mbetej në shtrat. Por pasi u vaksinua, ai vuri re një lehtësim të simptomave.
"Kuptova që dëmi nuk ishte i përhershëm sepse në fillim kishim menduar se kishim pësuar një dëmtim të përhershëm të organeve, të trurit, të zemrës. Më dha një ndjesi shprese që vazhdoj ta kem”, thotë zoti Hishmeh.
Sipas Zyrës Britanike të Statistikave, rreth 1.3 milionë vetë vuajnë nga COVID-i i gjatë në vend.