Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i bëri thirrje Perëndimit për masa më të ashpra ndaj Moskës.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Presidenti Biden kishte patur një bisedë telefonike me zotin Zelenskyy.
Vetë kryeministri i Ukrainës shkruante në Twitter se kishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara ashpërsimin e sanksioneve dhe ndihmë konkrete ushtarake.
Ndërkohë Departamenti i Shtetit tha se Sekretari i Shtetit Antony Blinken pati një bisedë telefonike me Ministrin e Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, ku ai ofroi mbështetje ndaj Ukrainës dhe dënoi vdekjen e civilëve, përfshirë ato të fëmijëve ukrainas, për shkak të sulmeve ajrore dhe goditjes me raketa brenda dhe përreth Kievit.
“Sekretari shprehu indinjatën për taktikat brutale të Kremlinit dhe nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.
Zoti Blinken i tha gjithashtu Ministrit të Jashtëm Kuleba se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për Ukrainën për ta ndihmuar atë të mbrohet kundër agresionit rus.
Your browser doesn’t support HTML5
Më herët të premten presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kishte thënë se Ukraina është e vetme në mbrojtjen e saj.
“Forcat më të fuqishme në botë shikojnë nga larg. A e kanë bindur Rusinë sanksionet e djeshme? Ne shohim në qiell dhe gjendjen në terren dhe ndjejmë se ato nuk janë të mjaftueshme”, u tha ai ukrainasve.
Ai i bëri thirrje Perëndimit për masa më të ashpra ndaj Rusisë duke shprehur keqardhjen për atë që ai e përshkroi si "mbështetje shumë të ngadaltë" nga Perëndimi.
"Kur bombat bien në Kiev, kjo ndodh në Evropë, jo vetëm në Ukrainë. Kur raketat vrasin njerëzit tanë, do të thotë që vdesin evropianë. Unë kërkoj më shumë siguri për Evropën, më shumë mbrojtje për Ukrainën si pjesë e një bote demokratike”, tha ai.
Britania njoftoi për sanksione që përfshinin ngrirjen e pronave të presidentit rus Putin dhe Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
NATO, përforcim i mëtejshëm i krahur lindor
Ndërkohë NATO-ja mbajti një takim të posaçëm të nivelit të lartë për të diskutuar për agresionin rus, pas së cilit Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca po dislokonte pjesë të forcës së saj luftarake të reagimit të shpejtë dhe do të vazhdonte të dërgonte armë në Ukrainë, përfshirë për mbrojtjen ajrore, ndërsa tha se Rusia po përpiqej të përmbyste qeverinë ukrainase.
"Shohim retorikë dhe mesazhe që tregojnë fuqimisht se synimi është rrëzimi i qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike në Kiev," tha ai në një konferencë shtypi pas një takimi virtual të udhëheqësve të NATO-s.
Ai tha se disa nga 30 aleatët e NATO-s bënë të ditur se me çfarë lloji armësh do ta furnizonin Ukrainën, duke përfshirë mbrojtjen ajrore, por nuk dha detaje të mëtejshme.
"Aleatët janë shumë të përkushtuar të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje," tha ai.
Zoti Stoltenberg tha se NATO po dislokonte elementë të forcës së saj të reagimit të shpejtë, e cila përbëhet nga forcat tokësore, ajrore, detare dhe të operacioneve speciale, në territoret e vendeve aleate.
Zelenskyy, ftesë për bisedime me Moskën por mundësia është e vakët
Nga ana tjetër udhëheqësi ukrainas, Zelenskyy i kërkoi sërish presidentit rus Vladimir Putin që të ulen për bisedime për t'u dhënë fund luftimeve.
Kremlini tha se e mirëpriste propozimin e zotit Zelenskyy për të negociuar një status neutral për Ukrainën si një "lëvizje në drejtimin pozitiv". Sipas Moskës presidenti Putin ka sugjeruar që të mbahen bisedime në Minsk të Bjellorusisë.
Kievi kishte propozuar Varshavën si vend të mundshëm bisedimesh. Bjellorusia është hapur në mbështetje të Moskës.
Vazhdojnë tensionet në Ukrainë
Ndërkohë nuk ka shenja për uljen e tensioneve ndërsa Rusia vazhdon sulmet në qytetet ukrainase.
Raketat goditën kryeqytetin Kiev të premten ndërsa forcat ruse vazhduan të avancojnë. Ndërkohë autoritetet ukrainase thanë se po përgatiteshin për një sulm që synonte përmbysjen e qeverisë.
Presidenti rus Putin i kërkoi ushtrisë së Ukrainës të përmbysë udhëheqësit e saj politikë dhe të negociojë për paqen, ndërsa autoritetet në Kiev u bënë thirrje qytetarëve të ndihmojnë në mbrojtjen e kryeqytetit nga një sulm rus .
Sirenat që sinjalizonin sulme ajrore ushtuan në Kiev, një qytet me tre milionë banorë. Disa nga banorët u strehuan në stacione metroje.
Zyrtarët ukrainas thanë se një avion rus u godit nga forcat ukrainase dhe u rrëzua mbi një ndërtesë në Kiev gjatë natës, duke i vënë flakën dhe duke plagosur tetë persona.
Dhjetëra mijëra njerëz janë larguar nga qytetet kryesore dhe ka njoftime për dhjetëra të vrarë. Ukrainasit po shkonin në Poloni, Rumani, Hungari dhe Sllovaki. Ata ishin kryesisht gra dhe fëmijë pasi Kievi ndaloi largimin e burrave 18 deri në 60 vjeç.
Trupat ruse morën nën kontroll ish-centralin bërthamor të Çernobilit në veri të Kievit, ndërsa përparonin në qytet nga Bjellorusia.
Zoti Zelenskiy tha se trupat ruse e kishin atë në shënjestër, por se ai do të qëndronte në Kiev.
Të enjten NATO urdhëroi komandantët e saj ushtarakë të intensifikojnë përgatitjet e për të mbrojtur territoret aleate, duke vënë në gatishmëri qindra avionë luftarakë dhe anije dhe duke rënë dakord të rrisin numrin e trupave në krahun e saj lindor.
Rusia nisi agresionin e saj nga toka, ajri dhe deti të enjten pas shpalljes së luftës nga presidenti Putin, në sulmin më të madh ndaj një shteti evropian që nga Lufta e Dytë Botërore.