NATO dënon me forcë sulmin rus ndaj Ukrainës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dënoi sot me forcë sulmin gjakftohtë të Rusisë ndaj Ukrainës pas urdhërave të dhëna nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Your browser doesn’t support HTML5

NATO dënon me forcë sulmin rus ndaj Ukrainës

“Rusia ka sulmuar Ukrainën. Ky është një akt brutal lufte. Fatkeqësisht ndodhi ajo për të cilën kemi paralajmëruar prej muajsh. Megjithë thirrjet që Rusia të ndryshonte kursin dhe megjithë përpjekjet e vazhdueshme për të gjetur një zgjidhje diplomatike. Paqja në kontinentin tonë është prishur. Kemi tashmë luftë në Evropë të përmasave dhe të llojit që mendonim se ishin lënë pas në histori”, tha zoti Stoltenberg.

Ai dënoi me forcë ofensivën ndaj Ukrainës dhe e quajti atë një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar.

“Megjithë morinë e gënjeshtrave, mohimeve dhe dizinformimit, synimet e Kremlinit janë bërë të qarta për të gjithë botën. Udhëheqësit e Rusisë mbajnë përgjegjësi të plotë për veprimet e tyre të papërgjegjshme dhe jetët e humbura. Vendet e NATO-s dënojnë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës me termat më të forta të mundshme. Është një shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar. Një akt agresioni ndaj një vendi sovran, të pavarur dhe paqësor, dhe një kërcënim serioz ndaj sigurisë euro-atlantike”, tha zoti Stoltenberg.

Ish-ambasadori amerikan në NATO, Ivo Daalder, mendon se aleanca duhet t’i dërgojë Moskës një sinjal të qartë.

“Mendoj se ka ardhur koha për të shtuar në mënyrë domethënëse prezencën e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s në Evropën Lindore. Dhe për ta bërë atë të përhershme. Nuk e kemi bërë këtë deri më tani pasi u angazhuam në vitin 1997 që të mos ndërmerrej ky hap. Situata ka ndryshuar. Jemi në një botë të ndryshme. Jemi në një botë në të cilën nuk kemi qenë prej 30 vitesh dhe duhet të fillojmë të mendojmë se si të përballemi me këtë botë dhe jo bazuar tek çfarë kemi bërë gjatë viteve të fundit. Duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë në vazhdim në mënyrë që Putini të mos triumfojë”, tha zoti Daalder.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i bëri ndërkohë thirrje Rusisë të tërhiqet.

“I bëjmë thirrje Rusisë të ndalë menjëherë veprimet ushtarake, të tërheqë forcat nga Ukraina dhe të zgjedhë diplomacinë. E mbështesim plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën e saj për vetëmbrojtje. Rusia po përdor forcën në përpjekje për të rishkruar historinë dhe për t’i mohuar Ukrainës rrugëtimin e saj të lirë dhe të pavarur”, tha ai.

Duke vënë në dukje se paqja, liria dhe demokracia po sfidohen nga regjimet autoritare, zoti Stoltenberg u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të reagojnë me “vendosmëri të re dhe me unitet edhe më të fortë”.