Shqipëria dhe Kosova dënojnë sulmin mbi Ukrainën

Udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës dënuan të enjten sulmin e Rusisë mbi Ukrainën duke u shprehur mbështetje qytetarëve ukrainas.

Presidenti shqiptar, Ilir Meta, shkroi se “Shqipëria dënon sulmin e pajustifikueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, duke shkelur ligjin ndërkombëtar dhe duke kërcënuar jetën e civilëve të pafajshëm”, ndërsa i bëri thirrje Rusisë të tërhiqet nga veprimet ushtarake kundër tërësisë tokësore dhe sovranitetit të Ukrainës! “Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj në këtë orë të errët!”, shkroi ai.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, shkroi se Shqipëria “u bashkohet aleatëve në NATO dhe Bashkimin Evropian në dënimin e fuqishëm të agresionit rus. Mendimet tona janë me popullin e Ukrainës”, shkroi ai.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, dënoi “ashpër sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, një vend sovran. Shqipëria është krah NATO-s dhe BE-së në mbështetje të Ukrainës”, shkroi ajo.

Minsitrja e Jashtme, Olta Chaçka, tha se “sulmi rrezikon jetën e miliona njerëzve të pafajshëm, minon themelet e rendit ndërkombëtar dhe shkel Kartën e OKB-së”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dënoi sulmin duke bërë thirrje për një qëndrim të shpejt, të paekuivok, të vendosur kundër këtij agresioni nga OKB-ja NATO-ja dhe nga Bashkimi Evropian. “Ajo para së cilës ndodhemi, ndonëse në një gjeografi tjetër dhe jo me paralele të ngjashme, nuk ndryshon në dramën njerëzore që po përjeton populli i Ukrainës nga ajo që ne përjetuam në vitet 98-99, agresionin e makinerisë ushtarake genocidale të Millosheviçit kundër shqiptarëve në Kosovë, futjen e ushtrisë dhe formacioneve paraushtarake, masakrat mbi civilët, pushtimin me forcë, zhvendosjen, spastrimin etnik dhe gjenocidin”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi se Kosova dhe qytetarët e saj qëndrojnë përkrah qytetarëve ukrainas, teksa përballen me pasojat e një lufte të paprovokuar, si rezultat i agresionit rus.

“Ne do të bashkëpunojmë me aleatët tanë për të penguar çfarëdo destabilizimi të rajonit tonë. Hegjemonia ruse nuk do të ketë sukses. Liria dhe demokracia do të triumfojnë”, shkroi ajo.

“Sot është një mëngjes i trishtë në Evropë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar sulmin rus në Ukrainë “agresionin më të madh ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Ne solidarizohemi me popullin e Ukrainës dhe jemi të orientuar bashkë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, pavarësinë e vendit dhe të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Ukrainës”, tha ai.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, dënoi sulmin duke theksuar se “në këto momente sfiduese për paqen globale dhe të drejtën ndërkombëtare, sikur e gjithë bota demokratike, edhe Republika e Kosovës solidarizohet me Ukrainën, me popullin dhe udhëheqjen ukrainase”.

“Jemi përkrah botës demokratike kundër agresionit rus në Ukrainë”, shkroi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. “Agresioni i paprovokuar dhe i padrejtë duhet të ndalet menjëherë. Fitorja është e Lirisë dhe Demokracisë. Lutjet tona janë për popullin trim dhe krenar të Ukrainës”, shkroi zoti Haradinaj në rrjetet sociale.

Të dyja vendet dënuan të hënën njohjen e pavarësisë nga Rusia të rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, duke e cilësuar “një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, marrëveshjes së Minskut si dhe cenim të tërësisë tokësore dhe pavarësisë së Ukrainës”.