Biden pritet të njoftojë sanksionet ndaj gazjellësit rus “Nord Stream 2”

Shtëpia e Bardhë pritet të njoftojë të mërkurën se presidenti Joe Biden do t’i jap dritën jeshile sanksioneve kundër kompanisë që ndërtoi gazsjellësin rus që lidh Rusinë me Gjermaninë, “Nord Stream 2” dhe kundër presidentit të kësaj kompanie.

Njoftimi pritet të vijë më vonë gjatë ditës, sipas një zyrtari amerikan i cili nuk ishte i autorizuar të diskutonte publikisht këtë çështje përpara se vendimi të bëhej publik, dhe i cili foli në kushte anonimiteti.

Gjermania tha të martën se ka pezulluar projektin për një kohë të pacaktuar, pasi presidenti Biden akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se kishte urdhëruar "fillimin e sulmit për pushtimin rus të Ukrainës" duke dërguar trupa në rajonet separatiste të Luhanskut dhe Donbasit në Ukrainën lindore.

Lexoni edhe këtë Gjermania pezullon gazjellësin rus Nord Stream 2

Ndërtimi i gazsjellësit ka përfunduar, por ai ende nuk ka hyrë në funksionim.

Presidenti Biden vitin e kaluar hoqi dorë nga sanksionet kundër kompanisë “Nord Stream 2 AG” që në atë kohë po përfundonte ndërtimin e gazjellësit dhe pritej të ishte operatori i saj, në këmbim të një marrëveshje me Gjermaninë për të ndërmarrë veprime kundër Rusisë nëse ajo përdor gazin natyror si armë ose sulmon Ukrainën.