Shtëpia e Bardhë i cilëson sulm veprimet e Rusisë ndaj Ukrainës lindore

Shtëpia e Bardhë po e quan “sulm” dislokimin e trupave ruse në Ukrainën lindore, pasi më herët kishte hezituar ta përdorte këtë term. Udhëheqësit nga mbarë bota dënuan veprimet e Presidentit Putinin ndërsa përgatiten për të vënë sanksione ndaj administratës së tij.

"Mendojmë se ky është fillimi i një sulmi, sulmi më i fundit i Rusisë ndaj Ukrainës”, tha Jon Finer, Zëvendës Këshilltar i lartë për sigurinë kombëtare. Ai tha se, “Sulmi është sulm dhe po ndodh”.

Administrata e Presidentit Biden fillimisht rezistoi ta cilësonte sulm dislokimin e trupave ruse, sepse Shtëpia e Bardhë dëshironte të shihte se si do të vepronte Rusia. Por qëndrimi ndryshoi pasi Shtëpia e Bardhë shqyrtoi lëvizjet e trupave ruse, tha një zyrtar i lartë që foli në kushte anonimiteti rreth diskutimeve të brendshme.

Zyrtarët britanikë, përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes, Ben Wallace, theksuan se kjo nuk është hera e parë që Rusia ndërhyn në Ukrainë. Rusia aneksoi nga Ukraina Gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe më parë ka kryer veprime në Ukrainën lindore.

“Rusia ka ndërhyrë në Ukrainë. Në vitin 2014 ata zaptuan ilegalisht Krimenë dhe Donbasin. Kjo është një ndërhyrje e mëtejshme në territorin e tyre sovran. Askush nuk e njeh legjitimitetin e zaptimit dhe aneksimit të Krimesë, madje as Kina”, tha Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace.

Shtetet e Bashkuara pritet të shpallin sanksione shtesë kundër Rusisë. Presidenti Biden do të flasë për këtë çështje të martën.

Për javë të tëra, Uashingtoni dhe aleatët evropianë paralajmëruan pasoja të rënda për Rusinë nëse ajo sulmon Ukrainën.

Ndërkohë, parlamenti rus miratoi kërkesën e Presidentit Putin për të dërguar forca ushtarake jashtë vendit. Kjo duket si një parapërgatitje për një sulm më të gjerë ndaj Ukrainës.

Disa udhëheqës evropianë thanë të martën se trupat ruse kanë hyrë tashmë në rajonet separatiste në lindje të Ukrainës. Ukraina dhe Perëndimi kanë thënë prej kohësh se trupat ruse marrin pjesë në luftimet në këtë rajon, gjë që Moska e ka mohuar vazhdimisht. Miratimi i parlamentit zyrtarizon dislokimin e trupave ruse në rajonet separatiste.