Kremlini ka thënë se Presidenti Vladimir Putin urdhëroi forcat ruse për të ruajtur paqen në Ukrainën lindore vetëm pak orë pasi ai njohu si të pavarura dy rajonet separatiste të Donestskut dhe Luhanksut. Veprimi ka rritur edhe më tej tensionet në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës. Korrespondentët e Zërit të Amerikës Heather Murdock dhe Yan Boechart njoftojnë nga Ukraina lindore se palët akuzojnë njëra-tjetrën si shkaktare të dhunës në konfliktin gjithnjë e më të ndërlikuar.
Your browser doesn’t support HTML5
Ushtarët dhe gazetarët vrapojnë drejt vend-strehimeve pasi një bombë godet qytetin e vogël ukrainas Novoluganske, pranë kufirit me Rusinë.Zyrtarët ukrainas thonë se gjatë ditëve të fundit dhuna është rritur në mënyrë dramatike në disa pjesë të Ukrainës përgjatë vijës ndarëse mes zonave të kontrolluara nga qeveria dhe zonave të kontrolluara nga seperatistët e mbështetur nga Rusia.
Rusët dhe ukrainasit po akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare të armëpushimit. Të hënën, Rusia përsëriti kërkesën e saj që Ukraina të ndalohet përgjithmonë nga anëtarësimi në NATO si kusht për paqen.
“Nëse Rusia përballet me rrezikun e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, kërcënimi për vendin tonë do të rritet ndjeshëm. Sepse Neni 5 i Traktatit të NATO-s thotë se të gjitha vendet anëtare duhet të luftojnë nëse një pjestar i koalicionit sulmohet”, tha Presidenti Putin.
Ndërsa udhëheqësit botërorë përsërisin mundësinë e një zgjidhje diplomatike, deri më tani përpjekjet për zgjidhjen e krizës kanë dështuar. NATO-ja ka refuzuar vazhdimisht të përmbushë kërkesat e Rusisë.
Shumë ndërtesa dhe biznese në qytetin Novoluganske janë braktisur prej vitesh. Për ata që kanë mbetur aty, dhuna sporadike është bërë normë.
Udhëheqësit ushtarakë ukrainas thonë s e ditët e fundit shkeljet e armëpushimit janë rritur ndjeshëm. Nga 98 shkelje të armëpushimit në ditë më 19 shkurt krahasuar me pesë shkelje në ditë tre muaj më parë.
Megjithatë, qetësia mbretëron në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa njerëzit ndihen nervozë rreth asaj se çfarë do të sjellin ditët në vazhdim. Në këtë qytet të vogël, rreth 5 kilometra larg kufirit me Rusinë, shihen qartë dallimet e njerëzve lidhur me konfliktin.
Shumë familje këtu flasin rusisht dhe kanë të afërm që jetojnë përtej kufirit. Periudha pas vitit 2014 ka qënë e vështirë për bizneset dhe udhëtimet duke shkaktuar një rënie prej 50%.
Ekipi i Zërit të Amerikës bisedoi me banoren e qytetit Kozachia Lopan, Victoria, e cila flet në rusisht.
“Kur kishim vizitorë nga Rusia, shitjet e dyqaneve ishin më të mëdha. Tani tregtia ka rënë. Shumë njerëz kanë të afërm në Rusi dhe nuk mund t’i vizitojnë. Është shumë e trishtueshme”.
Në këtë stacion treni kalonin 30 trena në ditë që vinin nga Rusia. Tani vetëm trenat e mallrave e kalojnë kufirin.
Banorët thonë se mes familjeve shpesh ka përçarje, mes atyre që mbështesin Rusinë dhe atyre që përkrahin Ukrainën. Ndërsa rajoni kufitar ndodhet në prag të luftës, shumë thonë se janë të bashkuar rreth nevojës për paqe dhe siguri.