Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy minimizoi të martën mundësinë e një "përshkallëzimi në shkallë të gjerë" të konfliktit nga Rusia, pasi Presidenti Vladimir Putin nënshkroi një dekret që njeh pavarësinë e rajoneve në lindje të Ukrainës, të kontrolluara nga rebelët. Pas njohjes së pavarësisë së rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut, Presidenti rus Vladimir Putin të hënë urdhëroi dërgimin e trupave ruse në këto rajone.
Your browser doesn’t support HTML5
Ukraina po ndeshet me një sulm ndaj sovranitetit dhe integritetit të saj territorial, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në një konferencë shtypi të martën në Kiev. Por, ai minimizoi mundësinë e një lufte në shkallë të gjerë me Rusinë.
“Ne besojmë se nuk do të ketë një luftë në shkallë të gjërë kundër Ukrainës dhe nuk do të ketë një përshkallëzim në shkallë të gjërë nga Rusia. Por nëse kjo ndodh, atëherë ne do të zbatojmë ligjin ushtarak”, tha presidenti Zelenskyy.
Rusia njoftoi të martën se i njeh rajonet e pavarura të Luhanskut dhe Donetskut me një territor që përfshinë edhe disa zonat që aktualisht kontrollohen nga forcat ukrainase, duke rritur më tej frikën mes vendeve perëndimore se një pushtim i plotë i Ukrainës nga forcat ruse mund të jetë i afërt.
Presidenti ukrainas Zelenskyy ra dakord me udhëheqësit evropianë se ishte e nevojshme që "menjëherë" të vendoseshin sanksione ndaj Rusisë, duke përfshirë mbylljen e gazsjellësit “Nord Stream 2”, të cilin Gjermania e pezulloi pas vendimit të presidentit rus Putin për të njohur pavarësinë e rajoneve të Luhanskut dhe Donetskut.
Presidenti ukrainas tha se ai kishte marrë një kërkesë nga Ministria e Jashtme për të shqyrtuar "ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë", por gjithashtu i bëri thirrje Moskës që "kjo çështje të zgjidhet me dialog".
“Ne i kuptojmë të gjitha rreziqet dhe përsëri i bëjmë thirrje Rusisë për zgjidhjen e kësaj çështje me dialog. Ne jemi gati të ulemi në tryezën e negociatave në çdo platformë dhe Rusia e di mirë këtë”, shtoi ai.
Që nga fillimi i konfliktit disa javë pas aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë kanë akuzuar Moskën për mbështetjen e separatistëve në lindje të Ukrainës me trupa dhe armë, akuzat që Kremlini i ka mohuar, duke thënë se rusët që po luftojnë në lindje të Ukrainës janë vullnetarë.
Vendimi i presidentit rus Vladimir Putinit të hënën zyrtarizon kontrollin e Rusisë mbi rajonet lindore të Ukrainës dhe i jep asaj një dorë të lirë për të dislokuar forca ushtarake atje.