Notari nga Shqipëria, Franci Aleksi, po stërvitet për t’u kualifikuar në Lojëra Olimpike pas dy tentimeve të pasuksesshme për të përfaqësuar Shqipërinë në olimpiket e Rios dhe Tokios. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai flet për përkushtimin e tij që të sigurojë pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Parisit më 2024 dhe sukseset e tij me ekipin e notit të Universitetit të Ashlandit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Your browser doesn’t support HTML5
Notari nga Shqipëria Franci Aleksi, nga mosha 8 vjeçare, kur filloi të mirret me këtë sport, po ndjek ëndrrën e tij për të marrë pjesë në Lojëra Olimpike.
23 vjeçari ka tentuar dy herë, por pa sukses, të kualifikohet në Olimpiadat e Rios dhe Tokios.
Franci thotë se ishin pikërisht këto dështime ato që e shtynë të vazhdojë të këmbëngulë.
“Pas dështimit që të kualifikohem në Lojërat e para Olimpike, pata një shkëputje nga noti, për dy apo tre muaj. Më pas fillova stërvitjet intensive që të arrija rezultate edhe më të mira dhe të arrija më lartë. Arrita të thyej të gjitha rekordet kombëtare në disiplina të ndryshme. Dola kampion absolut kombëtar. Nuk kishte gara olimpike atë vit, por këto rezultate më mundësuan një bursë në Amerikë, këtu ku jam tani, që më paguan të gjitha shpenzimet e shkollës”, thotë ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Tani Franci është në vitin e katërt të studimeve për ekonomi dhe biznes në Universitetin e Ashlandit në Ohajo të Shteteve të Bashkuara.
Krahas mësimeve, Franci ëpshtë pjesëtar i ekipit të notit të universitetit dhe disa herë ai ka fituar titullin “Notari i Javës”.
“Këtë titull e kam marrë katër herë gjatë gjithë viteve që jam këtu. Shkolla ka dhe rekorde. Unë kam thyer rekordin për 1 milje (1600 metra) të cilin e ka vendosur një person para 24 vitesh. Pra unë e theva atë pas 24 vitesh”, thotë Franci.
Këto rezultate i mundësuan atij pjesëmarrjen në kampionatin kombëtar të kolegjeve në Amerikë. Megjithëse garat nuk u zhvilluan për shkak të pandemisë, organizatorët vendosën t’u dhurojnë notarëve me kohën më të mirë, titullin “All American”. Franci ishte njëri prej tyre, pasi gjatë kualifikimeve ai ishte renditur si notari i 14 më i mirë.
Tani atë e ndajnë pak javë nga fillimi i kualifikimeve për garat kombëtare të këtij viti.
Ai pret që gjatë dy viteve të ardhshme t’i përmirësojë rezultatet dhe të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike të vitit 2024 në Paris.
“Unë jam plotësisht i motivuar për të shkuar në Paris, për t’u stërvitur, për të dhënë më të mirën time dhe ta mbyll me një sukses të madh pas gjithë atyre sukseseve dhe dështimeve, se pa dështime nuk ka asnjë sportist që ka arritur”, thekson ai.
Sportisti thotë se mundësitë e shumta që ShBA ofron për një notar, po e mbajnë larg Shqipërisë. Megjithatë, ai shpreson që një ditë të ndihmojë gjeneratat e reja të notarëve në vendlindjen e tij.
“Unë dua shumë që në Shqipëri noti të përparojë, sepse është e shkuara ime dhe e kam parë vetë me sytë e mi se çfarë lloj kushtesh ka bota dhe çfarë kushtesh ka Shqipëria. Ne kemi dy pishina 50 metërshe që janë të hapura. Gjatë verës për tre muaj garohet dhe stërvitet në to, por gjatë pranverës, vjeshtës dhe dimrit, që është pjesa më e madhe e vitit nuk shfrytëzohen dhe kjo është një aspekt ku duhet të investohet që të ketë pishina 50 metërshe të mbyllura, sepse ajo do të ishte një thesar për notin”, thotë Franci.
Veç familjes së tij në Shqipëri, Franci thotë se është ndihmuar shumë edhe nga një familje amerikane që e ka shoqëruar atë gjatë gjithë rrugëtimit.
Megjithatë, ai shton se noti është një sport i shtrenjtë dhe se tani i duhet mbështetje më e madhe financiare.
“Kemi kostume garash, kostume stërvitjesh, kapuç, syze, kemi shpenzimet e pishinës, duhet të paguash trajnerin, dhe këto shkojnë goxha nëse i mbledh të gjitha bashkë. Në varësi se ku stërvitesh”, përfundon ai.
Megjithë sfidat që e presin, Franci beson se me disiplinën që ka fituar nga noti, e ardhmja e tij qoftë në ShBA apo Shqipëri, do të jetë e ndritshme.