Sulmet me mortaja rëndojnë situatën e tensionuar në Ukrainë

Një banesë e goditur nga mortajat në qytetin Vrubivka

Goditjet me artileri dhe mortaja u intensifikuan gjatës natës në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, duke shtuar kështu frikën se po afrohet një përplasje më e madhe ushtarake. Ndërsa rajonet separatiste pro-ruse kishin filluar evakuimin e popullsisë, ato njoftuan të shtunën edhe mobilizimin e të gjithë meshkujve të aftë për të mbajtur armë. Ushtria ukrainase njoftoi ndërkohë se njësi mercenare ka mbërritur në rajonet separatiste për të organizuar provokime që do t’i shërbejnë Moskës si pretekst për një sulm ushtarak.

Your browser doesn’t support HTML5

Sulmet me mortaja rëndojnë situatën e tensionuar në Ukrainë

Kreu i republikës separatiste të vetëshpallur të Donjetskut shpalli të shtunën mobilizimin e të gjithë meshkujve të aftë për të mbajtur armë.

“Sot kam nënshkruar dekretin për mobilizimin e përgjithshëm. U bëj thirrje të gjithë burrave të republikës, të aftë për të mbajtur armë në duart e tyre për të mbrojtur familjet tona, fëmijët tanë, gratë dhe nënat. Së bashku do të arrijmë fitoren e dëshiruar dhe të nevojshme. Do të mbrojmë Donbasin dhe të gjithë popullin rus”, tha Denis Pushilin, kreu i republikës së vetëshpallur të Donjetskut.

Ushtria ukrainase njoftoi të shtunën se në rajonet separatiste kishin mbërritur mercenarë për të organizuar provokime, në bashkëpunim me forcat speciale ruse, me qëllim përshkallëzimin e situatës dhe krijimin e një preteksti për Moskën që të sulmojë vendin fqinj.

Ushtria ukrainase ka raportuar për gati 80 incidente në shkelje të armëpushimit nga separatistët pro-rusë gjatë dy ditëve të fundit dhe njoftoi gjithashtu se dy ushtarë ukrainas u vranë të shtunën nga goditjet me artileri të separatistëve pro-rusë.

“Komanda e Forcave të Bashkuara i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes dhe miqve. Forcat e bashkuara e kanë situatën nën kontroll dhe do t’i përgjigjet në mënyrën e duhur të gjitha kërcënimeve të mundshme”, tha Dmytro Lutsyuk, zëdhënës i shtabit ukrainas.

Të premten, sekretari për sigurinë kombëtare të Ukrainës, Oleksiy Danilov, akuzoi Rusinë për provokimin e forcave ukrainase.

“Situata po përshkallëzohet nga Federata Ruse dhe mbështetësit e saj në territorin e rajoneve Donjetsk dhe Luhansk. Kjo është një përpjekje për të provokuar forcat tona të armatosura që t’u përgjigjen”, tha zoti Danilov.

Zyrtari shtoi megjithatë se Ukraina do t’i përmbahet mjeteve paqësore. Ky mesazh u mbështet edhe nga ministrja ukrainase për integrimin e territoreve të pushtuara, Iryna Vereshchuk.

“Dua t’u drejtohem njerëzve në territoret përkohësisht të pushtuara që frikësohen për jetën e fëmijëve dhe familjeve të tyre. Ju lutem, ejani tek ne. Gjeni mënyrën për të kaluar postblloqet. Jemi duke ju pritur. Do t’ju krijojmë të gjitha kushtet e strehimit, do të sigurohemi që do të keni ushqim dhe do të ndiheni se nuk jeni të vetëm”, tha zonja Vereshchuk.

Pjesë të rajonit Donbas gjenden që prej tetë vitesh nën pushtimin de-facto rus. Një ditë më parë, udhëheqësit separatistë, të cilët shihen si vegla të Kremlinit, urdhëruan një evakuim masiv të rreth 700 mijë njerëzve duke u justifikuar me rrezikun e një sulmi nga forcat ukrainase, akuzë që është hedhur poshtë nga Kievi.