Tensionet Rusi-Ukrainë vazhdojnë të jenë të larta

  • Henry Ridgwell

Rusia përsëriti të mërkurën se ka filluar tërheqjen e disa trupave të dislokuara pranë kufirit ukrainas. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, shumë vende perëndimore thonë se ka prova të pakta për tërheqjen ruse, dhe se frika e një sulmi mbetet ende e afërt.

Këto janë pamjet që Rusia dëshiron t'i tregojë botës. Ministria e Mbrojtjes publikoi disa video ku pretendon se pamjet tregojnë largimin e tankeve dhe trupave nga rajoni kufitar ukrainas pas përfundimit të manovrave ushtarake.

Moska është tallur me pretendimet e Perëndimit se Rusia do të sulmonte Ukrainën këtë javë. Kremlini këmbëngul se nuk ka plane për veprime të tilla.

Gjatë takimit me Kancelarin Olaf Scholz në Moskë të martën, Presidenti rus mohoi se po kërkonte konflikt.

“Sigurisht që nuk duam luftë. Kjo është arsyeja pse kemi ofruar propozimet tona për fillimin e procesit të negociatave, i cili duhet të çojë në një marrëveshje që ofron siguri të barabartë për të gjithë, përfshirë vendin tonë”, tha udhëheqësi rus.

“Tani ka të bëjë me zgjidhjen e kësaj krize në mënyrë paqësore, të guximshme dhe vendimtare. Është sinjal i mirë që po dëgjojmë se disa prej trupave po tërhiqen. Shpresojmë që kjo të vazhdojë më tej”, thja kancelari gjerman.

Por detajet e tërheqjes ruse janë të pakta. Pamjet e postuara në mediat sociale të martën, të verifikuara nga Reuters, duket se tregojnë transportimin e spitaleve fushore drejt kufirit ukrainas.

"Shihen spitale të mëdha fushore që po ndërtoheshin përreth Ukrainës. Ne pamë avancimin e trupave më pranë Ukrainës nga zonat e dislokuara”, tha Ministri i Mbrojtjes së Britanisë Ben Wallace.

Zyrtarët amerikanë të zbulimit kanë paralajmëruar se Rusia mund të fabrikojë një sulm të rremë në rajonin e Donbasit të kontrolluar nga rebelët. Disa ekspertë pajtohen. Zeri i Amerikës bisedoi me ekspertën e çështjeve ukrainase Maria Avdeeva.

“Rusia mund të fabrikojë një lloj sulmi ukrainas dhe më pas të thotë se qytetarët rusë në Donbas duhet të mbrohen dhe të përdorin ushtrinë ruse për këtë”.

Mes kërcënimeve për një sulm rus, ukrainasit mbushën rrugët të mërkurën për të shënuar ditën e unitetit.

“Forca jonë është se ne e kuptojmë situatën në të cilën ndodhemi dhe fuqia jonë qëndron tek fakti se ne u bëmë më të fortë se në 2014-n”, thotë Olena Khotenko banore e kryeqytetit Kiev

“Rusia nuk do të na lërë në paqe, ndaj ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm”, tha shkencëtari 52 vjeçar Yuri Maistrenko.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, postoi këtë mesazh në rrjetet sociale.

“Askush nuk do ta dojë vendin tonë aq shumë sa e duam ne, dhe askush nuk mund ta mbrojë shtëpinë tonë si ne”.

Ndërkohë, në lindje të vendit, forcat ukrainase po përgatiten të mbrojnë atdheun e tyre. Retorika mund të jetë zbutur pak por kërcënimi për luftë mbetet i lartë.