Hondurasi arreston ish-Presidentin Juan Orlando Hernandez pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara

  • VOA

Policia e Hondurasit arrestoi ish-presidentin Juan Orlando Hernandez të martën me kërkesën e Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni dyshon se zoti Hernandez është përfshirë në trafikun e paligjshëm të drogës.

Zoti Hernandez, i cili la detyrën tre javë më parë, u shoqërua nga shtëpia e tij në Tegucigalpa i lidhur me pranga dhe me një xhaketë antiplumb në trup.

Gjykata e Lartë zgjodhi një gjyqtar për të trajtuar çështjen dhe ai nënshkroi një urdhër për arrestimin e ish-presidentit. Policia, e cila kishte rrethuar shtëpinë e zotit Hernandez që nga e hëna, e mori atë në paraburgim.

Zoti Hernandez u implikua vazhdimisht si bashkëpunëtor në gjyqin e vëllait të tij për trafikun e drogës në vitin 2019 nga prokurorët e Nju Jorkut. Vëllai, Juan Antonio "Tony" Hernández, u shpall fajtor për akuzat për trafik droge dhe armësh dhe u dënua me burgim të përjetshëm.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha në fillim të këtij muaji se kishte raporte të besueshme se zoti Hernandez "është përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm duke kryer ose lehtësuar akte korrupsioni dhe narkotrafiku" dhe duke përdorur të ardhurat për të financuar karrierën e tij politike.

Zoti Hernandez u betua si përfaqësues i Hondurasit në Parlamentin e Amerikës Qendrore më 27 janar, vetëm disa orë pasi pasardhësja e tij, Xiomara Castro, u bë presidentja e parë grua e vendit. Avokati i tij thotë se ai ka imunitet nga ekstradimi sepse është deputet i parlamentit rajonal.

Ministria e Punëve të Jashtme të Hondurasit njoftoi të hënën në Twitter se Ambasada amerikane në Tegucigalpa kishte kërkuar zyrtarisht arrestimin e një politikani të Hondurasit, për ekstradim të mundshëm në Shtetet e Bashkuara. Ish presidenti Hernandez u identifikua si politikani i kërkuar për ekstradim, pasi rrjeti televiziv CNN transmetoi pamje të kërkesës.

*Artikulli përmban të dhëna të marra nga agjensitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe AFP.