Rusia njofton tërheqjen e disa trupave nga kufiri me Ukrainën

Rusia njoftoi se disa njësi pjesëmarrëse në manovrat ushtarake pranë kufirit rus me Ukrainën po rikthehen në bazat e tyre. Por, Sekretari i Përgjthshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha sot se aleanca nuk ka parë shenja të uljes së pranisë ushtarake ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën. Këto njoftime janë parë me skepticizën edhe në Kiev.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se një pjesë e trupave të vendosur në afërsi të kufirit me Ukrainën, po rikthehen në bazat e tyre pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake.

Your browser doesn’t support HTML5

Rusia njofton tërheqjen e disa trupave nga kufiri me Ukrainën

Rusia ende nuk ka njoftuar se sa njësi po tërhiqen dhe në çfarë distance. Rusia ka grumbulluar rreth 130 mijë trupa në veri, lindje dhe jug të Ukrainës, që ka shkaktuar një nga krizat më të rënda në marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin nga koha e Luftës së Ftohtë.

"Gjithmonë kemi thënë se trupat do të kthehen në bazat e tyre pasi të mbarojnë stërvitet. Kjo po bëhet edhe tani”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg vlerësoi sinjalet e dërguara nga Moska gjatë dy ditëve të fundit se Rusia po kërkon një zgjidhje diplomatike për krizën, por kërkoi nga pala ruse që ta dëshmojë këtë gatishmëri me vepra.

“Deri tani nuk kemi parë lëvizje në terren për tejkalimin e krizës, nuk kemi parë ulje të pranisë ushtarake ruse pranë kufijve të Ukrainës. Por ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër veprimet ruse”, tha zoti Stoltenberg.

Edhe nga Ukraina vijnë reagime të kujdesshme. Ministri i Jashtëm Dymtro Kuleba tha se Kievi do të besonte se Rusia po ndërmerr hapa për të zbutur tensionet mes dy vendeve, vetëm pasi të shihte tërheqjen e trupave ruse.

"Ne vazhdimisht dëgjojmë deklarata të ndryshme nga Federata ruse, prandaj ne bazohemi tek një rregull: nuk besojmë në atë që dëgjojmë, por në atë që shohim. Nëse shohim tërheqjen e trupave, besojmë në uljen e tensioneve”, tha zoti Kuleba.

Britania thotë se Rusia po tregohet më e hapur për diplomaci, por kryeministri britanik Boris Johnson tha të martën se të dhënat e agjencive të zbulimit nuk janë inkurajuese.

"Ajo çfarë të gjithë duam të shohin është një program për ulje tensionesh. Kjo nënkupton tërheqjen e batalioneve taktike, ndërprerjen e punimeve të spitaleve të terrenit në kufirin Bjellorusi-Ukrainë, pra të jepet ndjesia se kërcënimi ka marrë fund dhe të fillojnë bisedimet”, tha zoti Johnson.

Lajmi për tërheqjen e një pjese të trupave ruse vjen pak pas paralajmërimeve të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë se Rusia mund të sulmojë Ukrainën në çdo kohë.

Moska ka mohuar planet për të sulmuar fqinjin e saj, por kërkon garanci nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO se Kievi nuk do të lejohet në anëtarësohet në bllokun ushtarak. Uashingtoni dhe Brukseli e kanë refuzuar kërkesën.