Kriza Ukrainë-Rusi, vazhdojnë përpjekjet diplomatike

Russian Foreign Minister Sergei Lavrov attends a meeting with Russian President Vladimir Putin in Moscow

Mes tensioneve mbi Ukrainën kryediplomati rus këshilloi të hënën Presidentin Vladimir Putin që të vazhdojë bisedimet me Perëndimin, lidhur me garancitë mbi sigurinë që kërkon Moska.

Deklarata e ministrit të Jashtëm Sergey Lavrov lë të kuptojë vazhdimin e rrugës diplomatike nga Kremlini. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Moska mund të fillojë sulmin ndaj Ukrainës, në çdo moment. Këto komente zoti lavrov i bëri në fillim të një takimi me Presidentin Vladimir Putin, gjatë një paraqitjeje televizive që dukshëm ishte e inskenuar për kamerat.

Zoti Lavrov sugjeroi se Moska duhet të dialogojë me SHBA dhe aleatët e tyre edhe pse ata kanë refuzuar kërkesat kryesore të Rusisë.

Moska kërkon garanci nga Perëndimi që NATO nuk do të lejojë Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike të bëhen anëtare të saj dhe se aleanca do të tërheqë trupat nga Evropa Lindore.

Zoti Lavrov vuri në dukje se edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj i kanë hedhur poshtë këto kërkesa, Uashingtoni ka thënë se është i gatshëm për dialog mbi vendosjen e kufizimeve në dislokimin e raketave në Evropë, stërvitjeve ushtarake, si dhe mbi masa të tjera që do të shërbenin për ndërtimin e besimit mes palëve.

Zoti Putin ende nuk e ka hartuar përgjigjen zyrtare të Rusisë ndaj këtyre propozimeve.

Disa vëzhgues presin që në fund Moska të pranojë një kompromis, që do të ndihmonte në shmangien e luftës, duke u dhënë mundësinë të gjitha palëve të tërhiqeshin “me dinjitet”.

Ndërsa NATO refuzon t'i mbyllë derën Ukrainës, aleanca gjithashtu nuk ka plane që Ukraina ose vende të tjera ish-sovjetike, të bëhen anëtare të saj. Me synimin për të zbutur tensionet disa ekspertë kanë hedhur ide të tilla si vendosjen e një moratoriumi mbi zgjerimin e NATO-s, ose të një statusi neutral për Ukrainën.

Ambasadori i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar Vadym Prystaiko, duket se sugjeroi një rrugë të tillë të mesme, gjatë një interviste për rrjetin televiziv BBC-së të dielën, kur tha se vendi mund të hiqte dorë nga synimet e tij për t'u anëtarësuar në NATO-n, nëse kjo do të shmangte luftën me Rusinë.

Anëtarësimi në aleancën perëndimore ushtarake është i shprehur si synim në kushtetutën e Ukrainës.

Megjithatë të hënën ambasadori Prystaiko u duk se u tërhoq nga ky qëndrim, duke thënë se "për të shmangur luftën ne jemi gati për shumë lëshime, por kjo nuk ka të bëjë fare me NATO-n, një çështje që parashikohet në kushtetutë".

I pyetur mbi komentin e zotit Prystaiko, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia do ta mirëpriste një veprim të tillë, por vuri në dukje refuzimin e shpejtë të këtij qëndrimi nga ministria e jashtme e Ukrainës.


Kryetari i parlamentit ukrainas Ruslan Stefanchuk theksoi gjithashtu se nuk ka ndonjë plan për rishikimin e dispozitës kushtetuese që i referohet anëtarësimit në NATO dhe se disa ligjvënës kërkuan shkarkimin e zotit Prystaiko.


Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha të dielën se Kievi po kërkon që në 48 orët e ardhshme të mbahet një takim i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për të diskutuar rreth grumbullimit të trupave ushtarake ruse në kufijtë e vendit të tij.