SHBA, angazhim për forcimin e lidhjeve me vendet e Indo-Paqësorit

  • Cindy Saine

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ndodhet në Australi për bisedime mbi sigurinë dhe luftën ndaj pandemisë COVID-19. Por grumbullimi i trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën dhe partneriteti në rritje midis Kinës dhe Rusisë janë gjithashtu në qendër të vëmendjes gjatë kësaj vizite.

Your browser doesn’t support HTML5

SHBA, angazhim për forcimin e lidhjeve me vendet e Indo-Paqësorit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ashtu si paraardhësit e tij, ka thënë se SHBA do që ta drejtojë vëmendjen e politikës së jashtme amerikane në Azi dhe rajonin e Indo-Paqësorit. Ekspertët thonë se vizitat e tij në Australi dhe Fixhi në këtë periudhë krize, dërgojnë një sinjal të fortë.

“Është shumë domethënëse vizita e Sekretarit Blinken në Melburn, takimet me homologët japonez, indian dhe australian kur Evropa Lindore ndodhet në krizë. Mendoj se një nga pikat kryesore është se SHBA do të vazhdojë të jetë e përqëndruar kryesisht në rajonin e Indo-Paqësorit, edhe kur krizat e herëpashershme mund ta largojnë vëmendjen”, tha për Zërin e Amerikës Brian Hardin nga Instituti Amerikan për Paqe.

Të premten, zoti Blinken takohet me udhëheqësit e vendeve anëtare të katërshes , një grup partneriteti mes SHBA-së, Australisë, Japonisë dhe Indisë.

Ekspertët thonë se në krye të agjendës janë nismat e përbashkëta për luftën ndaj Covid-it.

“Është diçka për të cilën palët kanë punuar prej kohësh. Nga India kërkohet prodhimi i vaksinave kundër COVID, me financimin e SHBA-së dhe Japonisë, ndërsa Australia të ndihmojë me logjistikën për të siguruar shpërndarjen e tyre në gjithë Azinë. Kjo nismë synon të jetë si kundërpeshë ndaj Kinës, ndaj shpërndarjes së vaksinave kineze dhe diplomacisë së saj të vaksinave në rajonin e Indo-Paqësorit”, thotë Michael Kugelman nga Qendra Wilson.

Javën e kaluar, Presidenti kinez Xi Jinping mirëpriti Presidentin rus Vladimir Putin në Pekin, disa orë para fillimit të Lojërave dimërore Olimpike.

Të dy udhëheqësit kritikuan atë që e quajtën ndikim negativ amerikan në Evropë dhe Indo-Paqësor.

“Në këtë pikë, Kina ndoshta është aleati më i besueshëm i Rusisë. Nëse Rusia do të pushtonte Ukrainën dhe do të shpërthente lufta, rusët do të prisnin ndihmë nga Kina, veçanërisht përsa i takon mbështetjes ekonomike, duke pasur parasysh sanksionet që do të viheshin kundër Rusisë“, thotë analisti Kugelman.

Ndërkohë po vazhdojnë stërvitjet e pëbashkëta ushtarake të Rusisë me Bjellorusinë, duke shtuar tensionet në rajon. Në pamjet e shpërndara nga Ministria ruse e Mbrojtjes shihen manovrat me sisteme të rënda të raketave, tanke dhe armë tjera.

Edhe gjatë udhëtimit në Australi, zoti Blinken po vazhdon përpjekjet diplomatike për të shmangur pushtimin rus, përmes bisedimeve me udhëhqësit francezë dhe ata të NATO-s.