Trupat amerikane që do të transferohen në Rumani nga Gjermania pritet të mbërrijnë atje të mërkurën mbrëma, tha ministria rumune e mbrojtjes. Ajo tha se ato do të mbrojnë krahun lindor të NATO-s nga përhapja e mundshme e krizës mbi Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara po dërgojnë rreth 3,000 trupa shtesë në Poloni dhe Rumani për të forcuar mbrojtjen e Evropës Lindore. Në Rumani, Shtetet e Bashkuara do të transferojnë nga Gjermania njesinë ushtarake “Stryker”.
Ministria rumune e mbrojtjes tha se një pjesë e kontigjentit të trupave amerikane do të hyjë në Rumani rreth orës tetë në mbrëmje dhe do të vazhdojë udhëtimin drejt bazës ushtarake Mihail Kogalniceanu në qarkun lindor të Konstancës.
Forcat amerikane e kanë përdorur bazën ajrore Mihail Kogalniceanu në Detin e Zi që nga viti 1999. Rumania, anëtare e NATO-s që nga viti 2004, ka gjithashtu një sistem të mbrojtjes nga raketat balistike.
Njesia “Stryker”, e krijuar me synimin posaçërisht për dislokime të shpejta, do t'u bashkohet 900 ushtarëve të tjerë amerikanë që aktualisht ndodhen në Rumani me rotacion, disa si pjesë e forcës së NATO-s dhe disa sipas marrëveshjeve të veçanta dypalëshe.
Franca ka ofruar gjithashtu të jetë vendi udhëheqës i një misioni të ardhshëm të NATO-s në Rumani, i cili mund të ketë rreth 1,000 trupa nga vende të ndryshme dhe për këtë çështje një vendim mund të merret në takimin e ardhshëm të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në mes të shkurtit.
"Me kontributin tonë, ne do të përpiqemi të plotësojmë çdo gjë që bën NATO dhe në përgjithësi ne mbështesim përpjekjet e NATO-s për të ndërtuar grupin e betejës këtu", u tha gazetarëve në Bukuresht të mërkurën këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
"Forcimi i krahut lindor nga veriu në jug është në krye të agjendës së NATO-s, nuk ka dyshim për këtë. Një gjë që ia kemi bërë shumë të qartë palës ruse është se nëse ata vazhdojnë këtë kurs të përshkallëzimit dhe nëse nxjerrin ushtrinë në rrugë në lidhje me Ukrainën, ata do të shohin dislokimin e më shumë aftësive të NATO-s në krahun lindor", shtoi ai.