Sekretari i Shtetit, Antony Blinken tha se rruga më e mirë për zgjidhjen e krizës mes Rusisë dhe Ukrainës është ajo diplomatike dhe se ai do të vazhdojë konsultimet me homologët e tij nga Franca, Gjermania dhe Britania në ditët në vazhdim.
"Ne po ndjekim një strategji të dyfishtë, nga njëra anë, që është edhe rruga më e preferuar dhe më e përgjegjshme: diplomacia; por nga ana tjetër, po punojmë për të frenuar Rusinë, që të mos ndërmarrë ndonjë agresion", tha Sekretari Blinken në Australi, ku ndodhet në kuadër të një takimi rajonal të Katërshes, me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara, Australisë, Japonisë dhe Indisë.
Maratona diplomatike vazhdon sot me vizitën në Moskë të Sekretares së Jashtme britanike Liz Truss, e cila do të takohet me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.
"Rusia duhet të vendosë çfarë rruge do të ndjekë, ne i bëjmë thirrje të ndjekë atë të bisedimeve, uljes së tensioneve dhe diplomacisë", tha zonja Truss.
Nesër, kryeministri britanik Boris Johnson shkon në Poloni për t’u takuar me trupat britanike në këtë vend dhe pastaj takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Bruksel.
Aleanca e NATO-s i ka hedhur poshtë kërkesat e Rusisë që t’i japë fund zgjerimit në Evropën Lindore dhe të mos e pranojë Ukrainën si vend anëtar.
Perëndimi thotë se është i gatshëm të bisedojë lidhur me dislokimin e raketave në Evropën Lindore dhe manovrat ushtarake të NATO-s në këtë rajon.