Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, u shpreh i shqetësuar të hënën me planet për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, një zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare, që bashkëpunonte me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Reagimi i ambasadorit gjerman pasoi njoftimin e ministrisë së Kulturës, Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe zyrës së Bashkimit Evropian për “fillimin e punimeve restauruese në shtëpinë e Xhafer Devës, shtëpi e ndërtuar në vitin 1930 në qendër të qytetit (të Mitrovicës) nga arkitektë dhe punëtorë austriakë”.
Në një komunikatë të përbashkët të këtyre institucioneve thuhet se, shtëpia e Xhafer Devës “ka vlerë të jashtëzakonshme shoqërore, kulturore, historike dhe arkitektonike për tërë rajonin. Për nga stili i ndërtimit, kjo shtëpi i përket arkitekturës moderne euro-perëndimore dhe shquhet me elemente të shumta dekoruese në pjesën e jashtme. Si e tillë kjo është një ndër shtëpitë e para të këtij stili në Mitrovicë dhe Kosovë. Stili i ndërtimit të kësaj shtëpie, paraqet kthesë radikale të kalimit nga ndërtimi i objekteve me ndikim të arkitekturës të stilit oriental, në ndërtim të objekteve me stil të arkitekturës moderne evropiane”.
Të hënën ambasadori gjerman u shpreh i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, “një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i Divizionit famëkeq SS, Skënderbeu. Jo shtrembërimit të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën rreth Holokaustit apo krimeve të luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët lokal”, shkroi ai në rrjetin Twitter.
"Kultura e kujtesës dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore, duhet të jenë mundësi për t'u përballur me të kaluarën në një mënyrë të hapur dhe të vërtetë", shtroi ambasadori Rohde.
Xhafer Deva ishte ministër i Brendshëm i qeverisë shqiptare që bashkëpunonte me nazistët në vitin 1944. Pas Luftës së Dytë Botërore, Xhafer Deva emigroi në Shtetet e Bashkuara ku vdiq në vitin 1978.
Shtëpia e tij që nga viti 1945 ishte pronë publike dhe është përdorur si qendër e kujdesit shëndetësor, strehë për familjet pa kulm mbi kokë e madje në një periudhë edhe si ndërtesë e administratës komunale.
Restaurimi i saj bëhet në kuadër të programit "Trashëgimia kulturore si nxitëse për dialogun ndër-komunitar dhe kohezionin social", që bashkëfinancohet nga Zyra e Instrumenti për Stabilitet dhe Paqe i BE-së dhe, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe zbatohet nga UNDP-ja.
Sipas planeve, aty do të vendoset zyra e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.