Rinisin hetimet parlamentare për aferën e incineratorëve

Komisioni hetimor parlamentar për incineratorët miratoi sot planin e punës, i cili parashikon thirrjen si dëshmitarë të kryeministrit Edi Rama, disa ministrave dhe ish ministrave.

Komisioni hetimor parlamentar për aferën korruptive të incineratorëve rinisi sot nga puna pas bllokimit dyjavor, që u shkaktua nga votat e anëtarëve socialistë kundër planit hetimor, që sipas tyre erdhi jashtë afateve ligjore.

Your browser doesn’t support HTML5

Rinisin hetimet parlamentare për aferën e incineratorëve

Por komisioni parlamentar i rregullores i dha të drejtë kryetares së komisionit hetimor Jorida Tabaku për të vazhduar deri në fund të shkurtit punën me zbardhjen e dyshimeve mbi procedurat e lejeve dhe fondeve për 3 incineratorët në Elbasan, Fier dhe Tiranë, ndaj sot u miratua i njëjti plan hetimor, që u rrëzua nga shumica dy javë më parë.

“Janë thirrur si dëshmitarë kryeministri Edi Rama, zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, sekretari i kryeministrisë Ëngjëll Agaçi, ish ministrat Damian Gjiknuri dhe Lefter Koka, deputeti Alqi Bllako, kryebashkiakët Erion Veliaj, Armand Subashi, Qazim Sejdini, si dhe Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, Loran Dusha, Arjola Kodra, Farudin Arapi etj. Është fjala për të hetuar keqmenaxhimin dhe korrupsionin me afro 430 milionë euro nga fondet publike” – tha zonja Tabaku.

Socialistët nga ana e tyre, bashkë me votën pro planit hetimor, shprehën gadishmërinë për të sjellë dhe dëgjuar dëshmitë e të gjithë zyrtarëve të lartë të përfshirë në programin hetimor. Ata kanë shumicën e anëtarëve në komision, ndërsa kryesimin e ka opozita

Zonja Tabaku shqetësimin se një pjesë e institucioneve nuk kanë sjellë informacion të plotë komisionit hetimor, ndaj ajo u rinisi sot disa ministrive kërkesa për të paktën 39 dokumenta shtetërore, që janë hequr nga dosjet fillestare të këtyre procedurave për incineratorët.

Gjatë kësaj jave do të shqyrtohen dokumentat dhe do të vizitohen nga afër të 3 impiantet e mbetjeve në Fier, Elbasan dhe Tiranë, javën e ardhshme do të thirren si dëshmitarë zyrtarë teknikë, ndërsa javën e tretë do të merren dëshmitë e qeveritarëve të lartë vendimarrës nga kryeministri, zv.kryeministri, ministra dhe ish ministra.

Dyshimet mbi korrupsionin me incineratorët krahas Kuvendit po i heton edhe SPAK. Ish ministri i mjedisit, Leter Koka, tashmë i arrestuar qysh nga mesi i dhjetorit, dyshohet për tre vepra penale, “Shpërdorim i detyrës”, “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”, lidhur me projektin e koncesionit të impiantit të trajtimit të mbetjeve në Elbasan.

Kryeministri Edi Rama është shprehur se “çështja e ish-ministrit me SPAK-un është çështje individuale” dhe se “Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie e askujt”.

Sipas SPAK, ish-ministri Koka ka shkelur procedurat dhe ka marrë ryshfet rreth 3.7 milionë eurosh, akuza që ai i ka mohuar, duke u shprehur se ka zbatuar ligjin.

Krahas ish ministrit, dy urdhëra të tjerë arresti dhe në kërkim janë shpallur për dy administratorët e lidhur me inicineratorin e Elbasanit Stela Gugalla dhe Klodian Zoto, i cili zotëron edhe 70 përqind të aksioneve në incineratorin e Fierit.