Sipas Bankës Botërore, sasia e mbetjeve industriale pritet të rritet me 70 për qind në nivel global deri në vitin 2050. Por nga dy miliardë tonë mbeturina vjetore, vetëm 19 për qind e tyre rikuperohet. Në Finlandë, teknologjia e re e inteligjencës artificiale po ndihmon në rritjen e normave të riciklimit.
Në periferi të kryeqytetit finlandez të Helsinkit, teknologjia e re po lehtëson procesin e riciklimit.
Një fabrikë e firmës finlandeze “Remeo” me vlerë 35 milionë euro, e hapur së fundmi, mund të përpunojë deri në 120,000 tonë mbetje të krijuara nga industria e ndërtimit, përfshirë dru, plastikë dhe metale. Drejtuesit e kompanisë thonë se kjo është fabrika më e avancuar e riciklimit në Evropë.
"Ne kemi mijëra klientë nga të gjitha industritë. Sasi të ndryshme mbetjesh nga qendrat tregtare, zonat e prodhimit, nga të gjithë klientët tanë vijnë me kamionë këtu", thotë Johan Mild, president i kompanisë “Remeo”, e cila operon tetë fabrika në të gjithë Finlandën.
Sipas Bashkimit Evropian, mesatarisht një qytetar evropian prodhon rreth pesë tonë mbeturina në vit, por vetëm 38 për qind e tyre riciklohen. Mbi 36 për qind e të gjitha mbetjeve në BE vijnë nga industria e ndërtimit.
Riciklimi i mbetjeve është një proces i ndërlikuar, për shkak të informacionit të kufizuar mbi përmbajtjen dhe cilësinë e materialeve.
Qendrat e riciklimit mund të jenë gjithashtu një mjedis i rrezikshëm për punonjësit.
Disa artikuj shpesh nuk mund të riciklohen dhe të ripërdoren si lëndë e parë.
Në disa vende evropiane, përfshirë Finlandën, një pjesë e mbetjeve që nuk riciklohen dërgohen në impiantet e djegies, të cilat prodhojnë energji dhe nxehtësi, por gjithashtu shtojnë emetimet e gazeve serrë.
"Djegia e mbetjeve është e dëmshme për natyrën dhe për të gjithë planetin. Pra, në thelb, ne tani po përpiqemi të rrisim nivelin e riciklimit", thotë zoti Mild.
Në këtë proces ndihmojnë robotët e fuqishëm dhe të shpejt me inteligjencë artificiale.
Disa robotë të mëdhenj të kompanisë “ZenRobotics” janë duke ndihmuar në ndarjen e materialeve prej druri nga ato plastike, metalike dhe ato prej guri. 12 krahët robotikë ndihmojnë në kapjen e materialeve të pastra të vlefshme për të rritur shkallën e riciklimit.
"Ata (robotët) analizojnë çdo objekt që vjen në rrip dhe mund të identifikojnë përbërjen e tyre, pra nëse ato janë dru me gozhda, pllaka apo beton, dhe më pas e vendosin në koshin përkatës për përpunim të mëvonshëm", shpjegon Harri Holopainen, shef i teknologjisë në kompaninë ZenRobotics me qendër në Helsinki, e cila ka shpërndarë robotë në rreth 20 vende.
Robotët janë trajnuar të identifikojnë mijëra imazhe mbetjesh dhe mund të dallojnë mbi 350 lloje të ndryshme mbetjesh.
“Këta krahë robotikë nuk lodhen kurrë dhe nuk mërziten, dhe kjo i bën ata mjaft superiorë për një punë si kjo. Duke patur parasysh sasinë e objekteve të rrezikshme e të mprehta dhe materialeve të rrezikshme, ky mjedis pune nuk është i sigurt për njerëzit", thotë zoti Holopainen.
Shumë industri në Evropë janë nën presion për të rritur normat e riciklimit. Një strategji e re e Bashkimit Evropian, që do të miratohet në fillim të vitit 2022, synon të nxisë riciklimin e tekstileve.
Edhe Kina, e cila ka qenë prej kohësh destinacioni më i madh në botë për letrën, plastikën dhe materiale të tjera të riciklueshme, vendosi një kufizim me faza ndaj importit të këtyre materialeve në vitin 2018.
Presidenti i kompanisë “Remeo”, Johan Mild thotë se teknologjia e re ka ndihmuar kompaninë e tij që të rrisë normat e riciklimit nga rreth 50 në deri 90 për qind, në disa raste.
"Në vitin 2020, në Finlandë hyri në fuqi një rregullore që kërkon që mbetjet nga industria e ndërtimit të riciklohen në nivel 70 për qind, dhe kjo është shumë e vështirë të arrihet me mënyrën tradicionale të riciklimit. Por tani, me ndihmën e robotëve ose makinerive të tjera ne mund ta bëjmë këtë në nivel mbi 70 për qind", thotë ai.
Në betejën kundër mbetjeve globale, këta robotë po ofrojnë një ndihmë të madhe.