Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mblidhet për të diskutuar mbi provën më të fundit të Koresë së Veriut të një rakete balistike me rreze të mesme veprimi, e cila mund të arrijë deri në Guam. (Ishulli i Guamit është një territor që ndodhet në Paqësorin perëndimor).
Media shtetërore e Koresë së Veriut publikoi imazhe duke konfirmuar kryerjen e provës më të fundit, për të cilën kishin njoftuar të dielën, Koreja e Jugut dhe Japonia.
Lëshimi i raketës balistike me rreze të mesme e të gjatë veprimi Hwasong-12 ishte më domëthënësi ndër vite që mund të arrijë deri në një territor amerikan.
Pas lëshimit të së dielës, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se e shohin testin e fundit si pjesë të një serie provokimesh në rritje gjatë këtyre muajve me synimin për të siguruar lehtësimin e sanksioneve.
Disa diplomatë thanë të martën se misioni amerikan në Kombet e Bashkuara kërkon që këshilli të zhvillojë konsultime me dyer të mbyllura të enjten.