I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari evropian për bisedimet Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak, thanë të mërkurën se të dyja palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e deritashme, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por pa dëmtuar tërësinë dhe funksionalitetin e Kosovës.
Të dy të dërguarit e posaçëm i dhanë fund sot një vizite në Kosovë, prej nga shkuan në Beograd, në kuadër të përpjekjeve për të ripërtëritë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Që nga e hëna ata janë takuar me udhëheqësit e institucioneve, partive politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar rrjedhën e mëtejme të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
“E kemi bërë të qartë në deklaratat e bashkëbisedimet tona se respektojmë plotësisht parimet e Kosovës që janë integriteti, rendi kushtetues dhe funksionaliteti”, tha i dërguari evropian, Miroslav Lajçak.
“Kjo administratë sikurse administratat e kaluara, mbështet fuqishëm pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës. Përtej kësaj, është pjesë e bisedimeve se si të dyja vendet, Serbia dhe Kosova arrijnë normalizimin”, tha i dërguari amerikan, Gabriel Escobar.
Lexoni edhe këtë Escobar: BE-ja duhet ta shohë Ballkanin Perëndimor si mundësi e jo si rrezikMospajtimet më të thella në bisedimet Kosovë – Serbia kanë të bëjnë me asociacionin e komunave me shumicë serbe, meqë Beogradi ngul këmbë që kjo është çështja kryesore, ndërsa Prishtina ngulë këmbë se marrëveshja e arritur rreth këtij asociacioni bie ndesh me kushtetutën e Kosovës dhe dëmton funksionalitetin e saj.
Zoti Escobar tha se të gjitha marrëveshjet e mëparshme duhet të zbatohen, ndërsa është çështje e bisedimeve se cili do të mund të ishte modeli i themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Synimi im me përmendjen e faktit se ekzistojnë shumë mundësi për themelimin e asociacionit, ishte të them që nuk duhet të jetë një model që dëmton sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës. Duhet ta gjejmë një model të tillë, që mund të negociohet dhe të arrihet marrëveshje rreth tij. Ky është qëllimi i bisedimeve. Nuk është qëllimi i Shteteve të Bashkuara të imponojë një të tillë”, tha zoti Escobar.
“Kosova është palë e barabartë në bisedime, që nënkupton se asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës, pa pajtimin e saj. E dëgjoj shpesh se nuk duam një Republikë Serbe dhe mendoj që kam qenë shumë i qartë shpesh se askush nuk dëshiron një Republikë Serbe në Kosovë. Ka një parim universal se çdo gjë për të cilën është rënë dakord, duhet të zbatohet dhe këtë ua themi të dyja palëve”, tha zoti Lajçak, duke theksuar se “Kosova nuk duhet të ketë frikë nga asociacioni”.
Kryeministri Albin Kurti tha se “Kosova nuk frikësohet, por Kosova me qeverinë e përgjegjshme është e kujdesshme. Ne ju shërbejmë interesave të qytetarëve të Republikës dhe mbrojmë interesat e vendit tonë. Interes i shtetit të pavarur të Kosovës, i Republikës sonë demokratike e sovrane është integriteti territorial, është funksionaliteti shtetëror, është kushtetutshmëria dhe ligjshmëria”.
Ai tha se në bisedimet në Bruksel Kosova ka paraqitur propozimet e saj dhe se parimi i reciprocitetit është parim i shëndoshë i marrëdhënieve të mira fqinjësore.
“Marrëveshja duhet të arrihet, jemi të gatshëm të punojmë për këtë dhe kur bisedojmë, bisedojmë për marrëveshje, nuk bëjmë dialog për dialog, jemi konstruktiv, jemi seriozë dhe njëkohësisht e vëmë theksin tek ajo që po pajtohen gjithnjë më shumë që të gjithë faktorët ndërkombëtarë e që e ka thënë në mënyrë shumë të qartë presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, që marrëveshja për normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të ketë në qendër njohjen reciproke”, tha ai.
Zyrtarët e lartë amerikan dhe evropian kanë shfaqur shpresën se ky vit do të jetë periudhë e takimeve të ngjeshura ndërmjet palëve për të arritur një marrëveshje për
Lexoni edhe këtë Mospajtime Kosovë – BE rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe
Të dy zyrtarët e lartë kanë shfaqur shpresën se ky vit do të jetë periudhë e takimeve të ngjeshura ndërmjet palëve për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që për Shtetet e Bashkuara duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.
“Do të donim të lëvizim përtej bisedimeve, të arrijmë atje ku të gjitha vendet e rajonit e njohin njëri tjetrin, janë në paqe më njëri tjetrin dhe në rrugën drejt integrimeve në Bashkimin Evropian”, tha zoti Escobar.
“Nuk ka ndryshim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kur flitet për bisedimet dhe rezultatin përfundimtar të tyre. Formula evropiane thotë se ne nuk përjashtojmë asnjë rezultat dhe nuk imponojmë asnjë të tillë. Është përgjegjësi e të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të pajtohen se cili do të jetë rezultati përfundimtar”, tha zoti Lajçak, duke nënvizuar se “bisedimet nuk kanë të bëjnë me negocimin e statusit të Kosovës, por për negocimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.
Serbia do të mbajë në muajin prill zgjedhjet presidenciale e parlamentare dhe shumë vëzhgues pohojnë se ato zgjedhje do të zvarrisin edhe më tej procesin e bisedimeve.
Lexoni edhe këtë Ekspertët: Gati e pamundur arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi më 2022
Beogradi synon që zgjedhjet të mbahen edhe në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, sic ka ndodhur në të kaluarën me grumbullimin e votave nga misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë. Por, autoritetet në Kosovë nuk lejuan muajin e kaluar mbajtjen e një referendumi të Serbisë në zonat e banuara me shumicë serbe, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit që ka paralajmëruar “pasoja” nëse nuk lejohet mbajtja e zgjedhjeve të prillit.
Zoti Lajçak, tha se vendimi për këto zgjedhje që u takon autoriteteve të Kosovës, do të ketë ndikim në bisedimet dhe së këndejmi është shtruar për diskutim në takimet e ditëve të fundit në Prishtinë.
Në orët e mbrëmjes të dërguarit u takuan në Beograd me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, pa praninë e medieve. Në një komunikatë të zyrës së presidentit serb, thuhet se ai kritikoi autoritetet në Prishtinë se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të shmangur përmbushjen e detyrimeve të tyre përmes, siç tha ai, “provokimeve të njëanshme”.
Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011 për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përparimin e tyre drejt integrimeve evropiane.
Serbia e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës ka hapur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet fundit në proceset integruese.