Banorët e rajonit rebel ukrainas mund t'i bashkohen ushtrisë ruse

Një ligjvënës rus po inkurajon banorët e zonave të kontrolluara nga rebelët e Ukrainës që t'i bashkohen ushtrisë ruse, një shenjë se Moska po vazhdon të përpiqet t'i integrojë këto territore sa më shumë që të jetë e mundur mes frikës së Perëndimit se Rusia po planifikon të pushtojë Ukrainën.

Viktor Vodolatsky tha të shtunën se banorët e rajoneve të kontrolluara nga rebelët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014 u druhen sulmeve nga forcat ukrainase duke shtuar se ata që kanë pasaporta ruse do të mirëpriten në ushtri.

"Nëse qytetarët rusë që banojnë në këto territore duan të bashkohen me Forcat e Armatosura ruse, komisariati ushtarak rajonal i Rostovit do t'i regjistrojë ata", i tha agjencisë shtetërore të lajmeve Tass zoti Vodolatsky, nënkryetar i komisionit parlamentar për Marrëdhëniet me Fqinjët.

Rusia u ka dhënë pasaporta më shumë se 500,000 banorëve që jetojnë në këtë rajon. Zoti Vodolatsky tha se rekrutët do të shërbenin në Rusi, por kjo e lë të hapur mundësinë që ata të mund t'i bashkohen çdo force pushtuese në të ardhmen.

Rusia ka grumbulluar rreth 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha të premten se presidenti Vladimir Putin mund të përdorë çdo anëtar të mbi 100,000 trupave ushtarake për të kapur qytete e pjesë të rëndësishme të Ukrainës apo për të kryer akte provokuese politike.

Rusia mohon se po planifikon të pushtojë Ukrainën. Moska ka kërkuar që NATO të tërheqë trupat Evropa Lindore si dhe që të garantojë se Kievi nuk do të bëhet kurrë pjesë e kësaj aleance.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO i hodhën poshtë zyrtarisht këto kërkesa këtë javë, por Uashingtoni parashtroi fushat ku diskutimet janë të mundshme, duke ofruar shpresë se mund të gjendet një mënyrë për të shmangur luftën.

Presidenti rus nuk ka bërë asnjë koment publik në lidhje me përgjigjen perëndimore, por ministri i Jashtëm Sergey Lavrov tha se përgjigjja e Perëndimit lë pak mundësi për arritjen e një marrëveshjeje.

Një zyrtar i lartë në administratën e Presidentit Joe Biden tha se Uashingtoni mirëprit komentet e Lavrov se Rusia nuk dëshiron luftë, por kjo siç tha ai duhet të mbështetet me veprime.

Uashingtoni e ka paralajmëruar Moskën për sanksione shkatërruese nëse pushton Ukrainën, sanksione që do të vendosnin në shënjestër zyrtarë të lartë rusë dhe sektorët kryesorë të ekonomisë së këtij vendi. Zoti Lavrov tha se Moska e ka paralajmëruar Uashingtonin se sanksionet do të çonin në një ndërprerje të plotë të marrëdhënieve.