Rusia shton njësitë ushtarake në Bjellorusi; SHBA përmend sërish sanksionet

Në këtë foto të marrë nga një video e ofruar nga Shërbimi i Shtypit i Ministrisë së Mbrojtjes Ruse të shtunën, 29 janar 2022, automjetet ushtarake ruse përgatiten të largohen nga platformat hekurudhore pas mbërritjes në Bjellorusi.

Ndërsa tensionet vazhdojnë të jenë të larta për shkak të rrezikut të një lufte në Ukrainë, Rusia vazhdoi të dërgojë mjete ushtarake në Bjellorusi për një stërvitje të përbashkët. Njësitë ruse janë të vendosura tashmë pranë kufirit Bjellorusi-Ukrainë, i ndodhur vetëm 75 kilometra larg nga kryeqyteti ukrainas Kiev. Ndërkohë, ambasadori amerikan në Rusi John Sullivan foli për sanksionet që do të vendosen ndaj Rusisë, ku do të përfshihet edhe gazsjellësi Nord Stream 2.

Your browser doesn’t support HTML5

Rusia shton trupat në Bjellorusi; SHBA përmend sërish sanksionet

Vlerësohet se rreth 100 mijë forca ruse janë të vendosura pranë Ukrainës, ndërkohë që Rusia ka zhvendosur forcat ushtarake nga Siberia dhe Lindja e Largët për të marrë pjesë në stërvitjen në Bjellorusi, vend fqinj i Ukrainës. Njësitë janë të mobilizuara në zonat pranë kufirit jugor bjellorus, që ndodhet në një distancë për vetëm 75 kilometrash nga kryeqyteti ukrainas, Kiev.

Dislokimet e reja forcojnë më tej praninë ushtarake ruse pranë Ukrainës, në një kohë kur Perëndimi mendon se po planifikohet pushtimi i Ukrainës.

Ndërkohë, Ambasadori amerikan në Rusi, John J. Sullivan, duke folur të premten nga Moska për pasojat ekonomike në rast se Rusia pushton Ukrainën, përmendi edhe gazsjellësin Nord Stream 2.

“Fakti që gazsjellësi ekziston por nuk ka filluar ende lëvizja e gazit përmes tij, dmth Rusia nuk po fiton të ardhura prej shitjes në Evropë të gazit të saj, do të thotë se përbën një avantazh për Evropën në këtë kontekst përballë Rusis딸tha ai.

Ambasadori amerikan tha se gazsjellësi do të bëhej pjesë e sanksioneve të mëdha që do të vendosen.

“Nëse Rusia do ta pushtonte më tej territorin e Ukrainës, do të thoja se Nord Stream 2 do të bëhej pjesë e pasojave masive ekonomike që do ketë Rusia nëse ndërmerr këtë veprim”, tha Ambasadori Sullivan.

Krahas stërvitjes në Bjellorusi, Rusia ka nisur një seri stërvitjesh ushtarake me mjete të motorizuara dhe njësi të artilerisë në Rusinë jugperëndimore, me avionë në Kaliningrad dhe Detin Balltik, dhe dhjetëra luftanije të përfshira në manovrat në Detin e Zi dhe në Detin Arktik.

NATO po forcon praninë e saj në Balltik dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur në gatishmëri të lartë 8500 forca për një dislokim të mundshëm në Evropë.