Të mbijetuarit e Holokaustit dhe politikanët paralajmëruan për ringjalljen e antisemitizmit dhe mohimin e Holokaustit, ndërsa bota kujtoi mizoritë naziste dhe përkujtoi të enjten 77 vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit të Aushvicit.
“Kam 75 vjet që jetoj në Nju Jork, por ende e mbaj mend mirë kohën e tmerrit dhe urrejtjes”, tha në parlamentin gjerman e mbijetuara 87 vjeçare Inge Auerbacher. “Fatkeqësisht, ky kancer është rizgjuar dhe urrejtja ndaj hebrenjve është përsëri e zakonshme në shumë vende të botës, përfshirë Gjermaninë.”
Përkujtimet për Holokaustin vijnë ndërsa janë shtuar ndjenjat antisemite, të nxitura gjatë mbylljeve, ndërsa pandemia e koronavirusit thelloi tonet e urrejtjes në internet.
“Kjo sëmundje duhet të shërohet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha zonja Auerbacher. Kryetarja e parlamentit gjerman, Baerbel Bas, vuri në dukje se situata e pandemisë ka vepruar "si një përshpejtues" ndaj antisemitizmit tashmë në rritje.
“Antisemitizmi është i pranishëm këtu - nuk është vetëm në skajet ekstreme, apo vetëm midis grupeve përjetësisht të pandreqshme dhe disa antisemitëve në botën kibernetike. Është një problem i shoqërisë sonë, i të gjithë shoqërisë”, tha kryetarja e parlamentit gjerman.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë në nëntor të vitit 2005 duke caktuar 27 janarin si Ditën e Kujtesës, datë që përkon me çlirimin e kampit të Aushvicit nga trupat sovjetike në vitin 1945.
Për shkak të pandemisë, shumë ngjarje të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit po zhvillohen virtualisht. Megjithatë, një ceremoni e vogël u mbajt në vendin e ish-kampit të vdekjes në Aushvic, ku forcat naziste gjermane vranë 1.1 milionë njerëz në Poloninë e pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Muzeu i Kujtesës u hap në qershor pas mbylljes për shkak të pandemisë.
Rreth 6 milionë hebrenj evropianë dhe miliona njerëz të tjerë u vranë nga nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre gjatë Holokaustit. Rreth 1.5 milionë ishin fëmijë.
“Vendi ynë mban një përgjegjësi të veçantë – gjenocidi kundër hebrenjve evropianë është një krim gjerman”, tha kryeparlamentarja Bas gjatë një sesioni të posaçëm të parlamentit në Berlin, ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të vendit. “Por në të njëjtën kohë është një e kaluar, që është çështje e të gjithëve, jo vetëm gjermanëve dhe hebrenjve.”
Kryetari i parlamentit izraelit, Mickey Levy, shpërtheu në lot në Bundestagun gjerman ndërsa thoshte një lutje hebraike nga një libër që i përkiste një djali hebre gjerman, i cili festonte 13 vjetorin në prag të “Kristallnacht-it”, Nata e Xhamave të Thyer, kur nazistët ndërmorën një sulm mizor kundër komunitetit hebre.
Zoti Levy tha se Izraeli dhe Gjermania përjetuan "një rrugëtim të jashtëzakonshëm në përpjekjet drejt pajtimit dhe vendosjes së marrëdhënieve dhe miqësisë së guximshme mes tyre.”
E mbijetuara Auerbacher solli kujtime nga nentori i vitit 1938 kur turmat naziste filluan protestat kundër hebrenjëve. Në gusht të vitit 1942, ajo dhe hebrenjtë e tjerë u dërguan në geton e kampit Theresienstadt.
“Isha 7 vjeçe dhe fëmija më i vogël në rreth 1100 persona, nga të cilët prindërit e mi, unë dhe shumë pak të tjerë mbijetuam”, tha ajo.
Të mbledhur në Parlamentin Evropian, ligjvënësit dëgjuan kujtimet e hidhura të të mbijetuarës së Holokaustit, 100-vjeçares Margot Friedlander. Ajo u arrestua në vitin 1944 ndërsa ishte në arrati dhe u dërgua në geton e kampit Theresienstadt, në atë që tani është Republika Çeke. Një vit më parë, nëna dhe vëllai i saj u deportuan në Aushvic, ku u vranë të dy.
Zonja Friedlander dhe burri i saj emigruan në SHBA në vitin 1946. Ajo u kthye në Berlin në vitin 2010. Që atëherë ajo ka udhëtuar nëpër Gjermani për të treguar historinë e jetës së saj dhe për të promovuar kujtesën e Holokaustit.
“Ne duhet të jemi vigjilentë dhe të mos kthejmë kokën nga ana tjetër si atëherë. Urrejtja, racizmi dhe antisemitizmi nuk duhet të jenë fjala e fundit në histori”, tha zonja Friedlander.
Në Shqipëri, Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka nderoi miliona viktima, ndërsa shprehu krenari për rolin që luajti vendi i saj në strehimin e hebrenjve, duke u nderuar nga Israeli si një nga vendet që ndihmoi hebrenjtë.
Shqipëria krenohet se gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte i vetmi vend ku asnjë hebre nuk u vra, apo dorëzua nazistëve dhe se numri i tyre u rrit nga 600 para luftës në më shumë se 2000 deri në fund të saj.
Shqiptarët i mbrojtën banorët vendas hebrenj dhe ndihmuan hebrenjtë e tjerë që largoheshin nga Gjermania, Austria dhe vende të tjera, duke i ndihmuar të kalonin fshehurazi drejt vendeve të tjera, ose duke i fshehur në shtëpitë e tyre.