Sinjalizimi i së mërkurës nga Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara për rritjen e normave të interesit pritet të ketë pasoja edhe jashtë kufijve të Amerikës.
Komisioni i Tregut të Hapur i Rezervës Federale njoftoi se për momentin nuk do të ketë ndryshim të normës së interesit, që tani është afër nivelit zero, por paralajmëroi se me rritjen e inflacionit mbi nivelin 2 për qind dhe forcimin e tregut të punës, "së shpejti do të jetë një moment i përshtatshëm për rritjen e normave të interesit për fonde federale."
Norma e fondeve federale është norma e interesit që bankat komerciale paguajnë njëra-tjetrën për huatë njëditore të rezervave të tyre të tepërta.
"Komisioni është i vendosur të rrisë normat e interesit në takimin e marsit", u tha gazetarëve të mërkurën kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell. "Ne i kemi drejtuar sytë tek rreziqet në mbarë botën, por ekonomia duhet të jetë në gjendje ta përballojë këtë".
Meqenëse dollari shërben si valuta kryesore e rezervës ndërkombëtare, një rritje e normës së interesit nga Shtetet e Bashkuara do të shkaktonte një presion mbi bankat qendrore të vendeve të tjera që të rrisin gjithashtu normat e tyre të interesit për huamarrësit.
"Pjesa tjetër e botës ka shumë borxhe në dollarë, kështu që edhe nëse borxhi i tyre është në monedhat vendase, bankat e tyre qendrore shpesh janë të detyruara të rrisin normat e interesit për të kompensuar rritjen e normës së interesit në Shtetet e Bashkuara në përpjekje për të ruajtur njëfarë stabiliteti të monedhës", thotë Gerard DiPippo, studiues i çështjeve ekonomike në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
“Rritja e normave të interesit synon të pakësojë kërkesat e konsumatorit për qarkullim të parave në ekonominë tonë, një veprim që do të prekë konsumatorët këtu, si dhe prodhuesit e mallrave dhe vendet e tjera që mbështeten në tregun amerikan”, thotë Sarah Anderson, drejtore e projektit të ekonomisë globale në Institutin për Studimin e Politikave.
Inflacioni 'transmetohet nëpërmjet tregtisë'
Inflacioni në Shtetet e Bashkuara është në nivelin më të lartë në 40 vjet, mes kërkesave në rritje të konsumatorëve për mallra, fuqizimit të tregut të brendshëm të punës dhe problemeve në zinxhirin e furnizimit të shkaktuar nga pandemia, përfshirë gjysmëpërçuesit kritikë për shumë sektorë të indusitrive të prodhimit.
"Çmimi i eksporteve amerikane u rrit më shumë se ai i importeve amerikane vitin e kaluar, kështu që në një farë mënyre, SHBA po eksporton inflacion sepse kostoja e prodhimit të gjërave në SHBA është rritur më shpejt sesa ajo e importeve. Pra, inflacioni mund të transmetohet përmes tregtisë”, tha DiPippo për Zërin e Amerikës.
Disa ekonomistë dhe analistë të politikave mendojnë se administrata e Presidentit Joe Biden është duke ngatërruar çështjet ekonomike strukturore dhe ciklike ndërsa përpiqet të zbusë inflacionin.
"Vetëm Rezerva Federale i ka mjetet për të trajtuar fenomenin ciklik, inflacionin, gjatë vitit të ardhshëm ose më gjatë", thotë ekonomisti DiPippo. "Edhe nëse administrata Biden është në gjendje të rrisë subvencionet për të prodhuar gjëra në Shtetet e Bashkuara ose të rrisë konkurrencën përmes krijimit të regullave të reja, ato korkojnë për të prodhuar efektin e tyre. Dhe ne po flasim për inflacionin gjatë një ose dy viteve të ardhshme, jo për atë gjatë pesë viteve të ardhshme. Pra, ka një mospërputhje”, shton ai.
Shtëpia e Bardhë ka thënë vazhdimisht se po i jep përparësi uljes së çmimeve për të ndihmuar familjet amerikane dhe se mënyra më e mirë për ta realizuar këtë është përmes rritjes së konkurrencës.
"Konkurrenca rezulton në çmime më të ulëta për familjet. Konkurrenca rezulton në paga të drejta për punëtorët. Dhe siç e dini, konkurrenca inkurajon kompanitë të jenë më novatore", tha Presidenti Biden të hënën gjatë një takimi të Këshillit të Konkurrencës në Shtëpinë e Bardhë.
Çmimet janë rritur në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera që nga viti i kaluar, mes mungesave serioze të punëtorëve dhe mallrave që ata prodhojnë. Kjo ka bërë që Fondi Monetar Ndërkombëtar të parashikojë rritje më të ngadaltë dhe inflacion më të lartë për ekonomitë më të mëdha të botës.
"Njerëzit janë zhvendosur nga shpenzimi i parave për shërbime, si dalja në restorante dhe teatro, gjatë pandemisë në blerjen e më shumë produkteve", tha ekspertja Sarah Anderson për Zërin e Amerikës. Kjo ka shtuar presionin mbi prodhuesit, veçanërisht në vendet si Kina dhe Vietnami, të cilët kanë vështirësi në përballimin e ritmit në rritje të kërkesave për produkte sepse një numër i madh punonjësish kanë lënë punën për shkak të pandemisë.
"Ne mund të rrisim normat e interesit, por unë nuk mendoj se problemi do të largohet derisa t'i japim fund pandemisë", shtoi ekspertja e ekonomisë, Sarah Anderson.
Politika “pa-COVID” e Kinës mund të shkaktojë më shumë bllokime, duke përkeqësuar problemet e zinxhirit të furnizimit, paralajmëroi të mërkuren kryetari i Rezervës Federale Jerome Powell. "Ka ende shumë rreziqe (për ekonominë)."