NJU JORK - Ish-kryetari i asamblesë së Nju Jorkut, Sheldon Silver, një ndër figurat më të të fuqishme në qeverisjen e këtij shteti për thuajse dy dekadat që i paraprinë dënimit të tij për korrupsion, vdiq në një burg federal. Ai ishte 77 vjeç.
Zoti Silver vdiq të hënën, tha drejtoria e burgjeve, duke shtuar se shkaku i vdekjes do të përcaktohej nga mjeku ligjor.
Mbështetësit e zotit Silver thanë se shëndeti i tij po vuante nga sëmundje të shumta. Ai po vuante dënimin e tij në Qendrën Mjekësore Federale në Devens, të shtetit Masaçusets, dhe në momentin e vdekjes po trajtohej në një spital aty pranë në Ayer, Masaçusets, tha drejtoria e burgjeve.
Demokrati nga Manhatani, që i pati thënë dikur gjykatësit se lutej që të mos vdiste në burg, po vuante një dënim me mbi gjashtë vite burgim për shkak se përdori influencën e tij në qeverisjen e shtetit që të përfitonin kompani të pronave të patundshme, të cilat në këmbim e shpërblyen duke dërguar procese me fitime të mëdha tek firma e tij ligjore.
Dënimi i dha fund karrierës së tij prej katër dekadash në asamblenë e Nju Jorkut. Vendin e parë si përfaqësues i Manhatanit ai e fitoi në vitin 1976. Megjithëse njihej si person me profil të qetë në hollet e Kapitolit të Nju Jorkut, dhe për të folurën e kujdesshme me ton të thellë, ai ishte ndër njohësit më të mirë të mekanizmave të brendshme të këtij shteti.
Ai u bë kryetar i asamblesë në vitin 1994, një post i fuqishëm që e bëri atë një nga tre personat që negocionin buxhetet dhe legjislacionin kryesor me guvernatorin dhe kreun e senatit të këtij shteti.
Në total, zoti Silver ishte kryetar i asamblesë gjatë pesë guvernatorëve të ndryshëm të Nju Jorkut, që nga Mario Cuomo dhe deri tek Andrew Cuomo.
Dënimi i tij fillestar i vitit 2015 u rrëzua nga një gjykatë apeli pasi Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ngushtoi përkufizimin e një akti korrupsioni. Ai u dënua sërish në një proces të dytë gjyqësor në vitin 2018, të ndërtuar për t'iu përputhur vendimit të Gjykatës së Lartë.
Ai iu bashkua një liste të gjatë ligjvënësish, ndër ta edhe drejtues të tjerë të lartë, të cilët u dënuan për krime që nga rryshfeti, pjesëmarrje në konspiracion, shmangie të taksave, mashtrim dhe manipulim. Një nga drejtuesit me të cilët ndante pushtetin gjatë detyrës së kryetarit, kreu i shumicës republikane në Senat, Dean Skelos, u gjend fajtor për zhvatje, mashtrim me transferta dhe rryshfet, në një proces gjyqësor që u zhvillua pothuajse në të njëjtën kohë si procesi i zotit Silver.
Zoti Silver hoqi dorë nga posti i tij drejtues pas arrestimit në janar 2015 dhe humbi postin e zgjedhur legjislativ pas dënimit të parë atë nëntor.
Zoti Silver kishte lindur në një familje emigrantësh të ardhur nga Rusia.