2020 ishte viti më i ngrohtë i qytetit të Barcelonës. që nga viti 1780.
Temperatura mesatare e qytetit ka shënuar një rritje prej 0,08 gradë Celsius në dekadë gjatë 240 viteve të fundit, me një rritje totale prej 1,8 gradësh.
Ekspertët thonë se ngrohja globale ka qenë shumë më e theksuar që nga vitet 1980.
Për të trajtuar këtë problem, një grup shkencëtarësh nga Universiteti Autonom i Barcelonës (UAB) së fundmi prezantoi një projekt për të lyer me ngjyrë të bardhë çatitë e qytetit. Ata thonë se kjo mund të ulë temperaturat me një nivel prej 4.7 gradësh gjatë valëve të të nxehtit.
"Në modelin tonë ne kemi zgjedhur sipërfaqe të sheshta në ndërtesat e banimit dhe fabrikat, sepse ato janë më të lehta për t'u lyer. Në studimin tonë ne nuk kemi simuluar lyerjen e çative të të gjitha ndërtesave të qytetit, por vetëm ato që janë më të lehta për t'u lyer. Dhe ne kemi zbuluar se mund të ketë një ulje mesatare të temperaturës prej 0.8 gradësh (Celsius) gjatë valëve të të nxehtit. Në ditët me temperatura shumë të larta, ne pamë një ulje prej 4 gradësh", thotë Sergi Ventura, njëri nga autorët e studimit, i cili u botua në revistën “Urban Climate”.
Në kuadër të këtij studimi, shkencëtarët simuluan valën e të nxehtit të verës 2015, kur temperaturat ditore në Barcelonë arritën në nivelin midis 35 dhe 40 gradë celsius dhe ato të natës 25 gradë celsius.
Një pjesë e madhe e qytetit është ndërtuar në bazë të një plani urbanistik në formë katrori.
Blloqet katrore me kënde të cunguara përbëhen kryesisht nga ndërtesa banimi me një lartësi mesatare prej pesë ose gjashtë katesh.
Zona e njohur si l'Eixample erdhi si rezultat i një projekti ambicioz urban të nisur në fund të shekullit të 19-të pas zgjerimit të shpejtë të lagjes së vogël mesjetare.
Kjo i jep Barcelonës një pamje moderne të veçantë, me çati të sheshta në vend të tjegullave tradicionale që mbulojnë qytetet e tjera spanjolle, si Madridi.
Shumica e çative janë sipërfaqe të sheshta, të lyera ose të mbuluara me tjegulla ngjyrë kafe.
"Çatitë e ftohta" do të krijoheshin duke lyer sipërfaqet e sipërme në të bardhë, e cila do të reflektonte një sasi të madhe të rrezeve të diellit në vend se ta absorbonte nxehtësinë e tyre.
"Ne jemi duke bashkëpunuar me entet publike si Masterplani Urban i Barcelonës. Ata kanë ofruar mundësinë e rritjes së sipërfaqeve të gjelbra. Ata janë në favor të lyerjes së çatisë me ngjyrë të bardhë, por deri më tani nuk është bërë asgjë. Kjo ka një 'me kosto të ulët, dhe sipas parashikimeve tona, një qytet si Barcelona do të funksiononte më mirë me lyerjen e çative me ngjyrë të bardhë sesa zgjerimin e hapësirave të gjelbra", thotë Sergi Ventura.
Aktivisti organizatës Greenpeace për mbrojtjen e mjedisit, Adrian Fernandez e mbështet idenë, por thotë se ajo nuk është e mjaftueshme.
"Ne duhet të synojmë ndryshimin e modelit të qytetit, mënyrën si është ndërtuar ai. Ndryshimi i ngjyrës mund të jetë një arnim i problemit me të cilin po ndeshet qytetit. Mund të sjellë rezultate pozitive. Por duke marrë parasysh sfidën e valëve më të shpeshta dhe më të rënda të nxehtësisë me të cilën mund të përballet qyteti, ne kemi nevojë për zgjidhje më të mëdha", thotë ai.
Por, pavarësisht shkallës së suksesit të projektit, përgjigja përfundimtare është në duart e autoriteteve lokale dhe bashkëpunimit të banorëve të Barcelonës që jetojnë në katet më të larta të apartamenteve.
Samuel Saintot është një konsulent softuerësh. Ai jeton në katin e sipërm të një ndërtese të lartë, duke shijuar pamjet panoramike të qytetit.
"Mendoj se është një ide e shkëlqyer. Ne po vuajmë shumë në qytetet e mëdha, kryesisht në verë. Po, do ta bëja patjetër. Dhe shpresoj shumë që të gjithë ta bëjnë këtë. Kjo është një gjë e mirë pasi ne do të kursenim energji elektrike, që do të ishte një hap pozitiv edhe në frenimin e ngrohjes globale", thotë ai.
Barcelona krenohet se është një qytet pionier në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Aktualisht qyteti ka një sërë projektesh për luftimin e rritjes së temperaturave.
Lyerja me ngjyrë të bardhë e çative, mënyrë për të luftuar rritjen e temperaturave
Your browser doesn’t support HTML5