Axhenda legjislative e presidentit Biden, pas një viti në detyrë

Biden

Presidenti Joe Biden po e mbyll vitin e tij të parë në detyrë me vlerësime të ulëta të miratimit të publikut amerikan për punën e tij, kryesisht për shkak të një rimëkëmbjeje ekonomike të zvarritur nga inflacioni dhe një pandemie që po rritet përsëri. Kjo, pavarësisht arritjes së një konsensusi dypartiak për të miratuar planin stimulues prej 1.9 trilion dollarësh dhe një pakete prej 1 trilion dollarësh për infrastrukturën. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara, njofton.

Your browser doesn’t support HTML5

Axhenda legjislative e presidentit Biden, pas një viti në detyrë

Një paketë prej 1.9 trilion dollarësh për rimëkëmbjen nga COVID-19, e shtyrë nga administrata Biden në mars ka ndihmuar bizneset dhe familjet amerikane të përballojnë ndikimin financiar të pandemisë.

Paketa mundësoi dërgimin e 1,400 dollarëve në financim stimulues për miliona amerikanë dhe pagesa mujore që kanë rezultuar të suksesshme në uljen e varfërisë

Por për shumë njerëz, rritja e inflacionit ka minimizuar ndikimin e kësaj ndihme.

“Për shkak të COVID-it, njerëzit nuk kanë para. Ne sapo po fillojmë përsëri nga puna. Çmimet e gazit sot janë të dhimbshme”, thotë Telilia Scott, konsumatore amerikane.

Çmimet e konsumit në dhjetor ishin 7% më të larta se ato të një viti më parë, duke shënuar normën më të lartë të inflacionit në 40 vjet.

Inflacioni ka dëmtuar rimëkëmbjen ekonomike në një vit që administrata thotë se ka treguar rritjen më të madhe të vendeve të punës në historinë amerikane.

“Shikoni kërkesat fillestare për përfitime nga papunësia. Ishin 812,000 një vit më parë. Tani janë në 210,000. Shkalla e papunësisë dhe padyshim krijimi i vendeve të punës, ka ndryshuar. Sa i përket COVID-it, nëse shohim një vit më parë, vetëm 1% e të rriturve ishin plotësisht të vaksinuar. 74% e të rriturve janë plotësisht të vaksinuar tani”, tha sekretarja e shtypit, Jen Psaki.

Plani i vaksinave për COVID-19 ka ofruar mbrojtje për më shumë se 200 milionë amerikanë, dhe madje siguroi një kthim të shkurtër në normalitet vitin e kaluar.

Kjo, derisa Omicroni bëri që rastet dhe shtrimet në spital të rriteshin përsëri.

Sipas firmës Ipsos të hulumtimeve, pandemia dhe inflacioni kanë qenë dy faktorë kryesorë në rënien e vlerësimeve të miratimit të punës së Presidentit Joe Biden në fund të vitit të tij të parë, rreth 45 për qind.

“Presidenti bëri fushatë për çrrënjosjen e COVID-it dhe rimëkëmbjen e ekonomisë, duke e kthyer Amerikën në normalitet. Dhe sa më gjatë të zgjasë pandemia, aq më shumë pasiguri kanë amerikanët, dhe sinqerisht, aq më shumë zhgënjim ndiejnë për faktin se janë ende duke u marrë me pandeminë”, thotë Mallory Newall me kompaninë Ipsos.

Ndërkohë, axhenda legjislative e Bidenit ka qënë gjithashtu e përzierë. Ai arriti të miratojë një ligj për infrastrukturën prej 1 trilion dollarësh me mbështetjen e republikanëve – investimi më i madh në punët publike të vendit në një brez.

Por presidenti Biden ende nuk ka arritur të miratojë planin e tij prej 1.75 trilion dollarësh për shpenzimet sociale dhe ndryshimet klimatike, edhe pse ai tashmë është përgjysmuar nga përmasat origjinale.

Pikat e tjera të rendit të ditës mbeten të bllokuara. Dy projektligje për të drejtën e votës që do të zgjeronin shumë kontrollin federal mbi zgjedhjet, janë bllokuar në Senat për shkak të kundërshtimit të republikanëve.

Disa analistë thonë se administrata dhe demokratët duhet të riformatojnë axhendën e tyre.

“Ata duhet të kuptojnë se republikanët do të kenë shumë pak interes për bashkëpunim për çështje të mprehta. Duhet të identifikojnë cilat janë gjërat më të vogla për të cilat mund të punojnë që me kalimin e kohës mund të ndryshojë dinamikën - nga Biden erdhi me dy plane ambicioze dhe dështoi, në atë që ai u përpoq dhe arriti shumë fitore më të vogla, thotë Kevin Kosar me Institutin American Enreprise.

Dhe pavarësisht premtimit të Biden për të shëruar një komb të ndarë, amerikanët janë ende thellësisht të polarizuar pas sulmit të Kapitolit nga mbështetësit e Donald Trump më 6 janar 2021. Sondazhet sugjerojnë se shumica e republikanëve ende besojnë pretendimin e pabazë të shtyrë nga ish-presidenti, se zgjedhjet e 2020 u vodhën.