Qyteza në Uajoming me shpresë tek energjia bërthamore

Në një kohë kur shumë vende po përpiqen të zvogëlojnë përdorimin e burimeve energjitike fosile, një qytet i vogël amerikan mund të transformohet falë ndërtimit të një lloji të ri centrali bërthamor. Kompania TerraPower do të ndërtojë reaktorin e natriumit në qytetin Kemmerer të shtetit Uajoming, ku në vend të ujit do të përdoret sodium i shkrirë për ftohjen e reaktorit.

Your browser doesn’t support HTML5

Qyteza në Uajoming me shpresë tek energjia bërthamore

Qyteti i vogël Kemmerer është mbështetur tek qymyri për mbi një shekull.

Në nëntor, një kompani e mbështetur nga miliarderi Bill Gates, TerraPower, njoftoi se ka përzgjedhur këtë qytet për reaktorin jo-tradicional me ftohje nga sodiumi, duke krijuar kështu edhe mundësinë për punësimin e punëtorëve të një termocentrali me qymyr që pritet të mbyllet së shpejti.

Rreth 230 persona punojnë në termocentral dhe rreth 300 të tjerë tek miniera që furnizon vetëm termocentralin.

“Nuk di se si do t’i kishte mbijetuar qyteti Kemmerer humbjes së termocentralit dhe të minierës së qymyrgurit. Do të ishte kthyer thjesht në një qytet fantazëm”, thotë Crystal Bowen, punonjëse e termocentralit.

Kompania TerraPower ka premtuar se do të trajnojë punonjësit që janë të interesuar të kalojnë me punë tek centrali bërthamor, kur ai të fillojë nga puna.

“Na kanë thënë se do të ketë një program dy vjeçar trajnimi për njerëzit që do të punojnë tek centrali bërthamor. Kjo vjen në momentin e duhur, megjithëse ende nuk janë qartësuar detajet. Pra do t’u jepet mundësia shumicës së njerëzve të këtushëm që do të duan të bëhen pjesë e atij centrali”, thotë Rodger Holt, menaxher i termocentralit Naughton.

Do të duhen ende disa vite për ngritjen e centralit bërthamor, ndoshta në vitin 2028. Por, lajmi për këtë zhvillim ka ngjallur interes në sektorin e pasurive të patundshme dhe ka sjellë jetë të re në qytet, thotë kryebashkiaku Bill Thek.

“Jam absolutisht në favor të mbrojtjes së mjedisit tonë. Dhe nëse vendosemi në epiqendër të përpjekjeve për përmirësimin e mjedisit, jam plotësisht dakort. Me ardhjen e centralit të natriumit, do të mbijetojë komuniteti ynë”, thotë ai.

Energjia bërthamore po shfaqet si zgjidhja për të plotësuar boshllëkun e krijuar nga ulja e shfrytëzimit të qymyrgurit, karburantit dhe gazit natyror, me qëllim uljen e gazrat ndotës dhe shmangien e efekteve më negative të ngrohjes së planetit.

“Presim një shtrirje masive të energjisë diellore dhe nga era, dhe e mbështesim këtë plotësisht. Por nëse do t’i heqim burimet fosile, do të na duhet vërtet mbështetja e një burimi energjie si ajo bërthamore, e cila nuk çliron gazra ndotës dhe funksionon pa ndërprerje 24 orë në ditë”, thotë Chris Levesque, drejtor ekzekutiv i kompanisë TerraPower.

Centrali do të ketë një reaktor të shpejtë natriumi, i cili ftohet me sodium dhe do të ketë edhe një sistem depozitimi të energjisë. Kompania TerraPower thotë se do të jetë një reaktor i përmasave të vogla, me fuqi 345 megawatt, dhe që mund të furnizojë me energji të mjaftueshme rreth 345 mijë shtëpi.

Teknologjia e re kushton më pak se centralët konvencionalë që ftohen me ujë. Aftësitë e sodiumit për transferimin me shpejtësi të nxehtësisë do të mundësojë ftohjen me ajër. Kjo do të thotë se në rast emergjence, ky central do të mund të fiket menjëherë pa ndonjë rrezik.

“Reaktorët e sotshëm janë të sigurtë, por natriumi përfaqëson nivelin e ardhshëm të sigurisë. Nuk varet nga burime të jashtme energjie për të mbajtur reaktorët të sigurtë, në rast se ndodh diçka e papritur”, thotë zoti Levesque.

Të tjerë tregohen skeptikë për avantazhin e ftohjes me sodium. Edwin Lyman, nga unioni i shkencëtarëve që ndjekin projektet bërthamore thotë se ky central nuk do të jetë domosdoshmërisht më pak ndotës.

“Në fakt, energjia bërthamore prodhon materiale shumë radioaktive, të cilat janë kancerogjene, si dhe një volum mbetjesh që do të qëndrojnë në mjedis për qindra mijëra vite. Është pra e vështirë ta quash të pastër energjinë bërthamore, me përjashtim të aspektit të çlirimit të dioksidit të karbonit”, thotë ai.

Zoti Lyman thotë se nuk ka një plan për depozitimin e mbetjeve nga reaktorët bërthamorë. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara nuk disponojnë karburantin e nevojshëm bërthamor, që duhet të jetë me uranium të pasuruar deri në 20%, ose katër herë më shumë se centralët bërthamorë konvencionalë. Kjo do të thotë se karburanti bërthamor do të duhet të merret nga Rusia, të paktën për fillimet e centralit të ri.