Rebelët Houthi të Jemenit paralajmëruan se mund të kryejnë të tjera sulme ndaj objekteve në Emiratet e Bashkuara Arabe, pas sulmit me dron të hënën, si pasojë e të cilit u vranë tre persona.
Policia e Abu Dhabit i identifikoi viktimat si dy shtetas indianë dhe një pakistanez.
Sipas policisë sulmi kishte në shënjestër tre kamionë cisternë, (në një objekt nafte), si dhe një sektor të aeroportit që po zgjerohej.
Një zëdhënës i rebelëve Houthi të Jemenit tha se sulmi u krye në formë hakmarrje ndaj rolit të Emirateve të Bashkuara Arabe në një ofensivë ushtarake në Jemen, javën e kaluar.
Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe e dënoi sulmin dhe tha se ai "nuk do të mbetej pa u ndëshkuar".
Emiratet e Bashkuara Arabe janë pjesë e një koalicioni të udhëhequr nga Arabia Saudite që lufton rebelët Houthi. Si kundërpërgjigje, forcat e koalicionit saudit, qëlluan mbi luftëtarët e milicisë Houthi në provincën Marib të Jemenit.
Koalicioni njoftoi gjithashtu të hënën se interceptoi dhe asgjesoi tetë dronë të nisur drejt Arabisë Saudite.