Koreja e Veriut lëshoi të hënën dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi nga një aeroport në kryeqytetin e vendit Phenian, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut. Ky është testi i katërt i Koresë së Veriut këtë muaj.
Qeveria japoneze njoftoi gjithashtu rreth lëshimin duke e konsideruar atë një kërcënim për paqen dhe sigurinë e rajonit.
Në më pak se dy javë, Koreja e Veriut e armatosur me armë bërthamore ka kryer tre teste të tjera me raketa, një frekuencë e pazakontë lëshimesh. Dy prej tyre përfshinin "raketa hipersonike" të një shpejtësie të lartë e të afta për t’u manovruar pas lëshimit, ndërsa lëshimi i fundit u bë të premten, e përfshinte dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi të lëshuara nga një tren.
Nisja e së hënës dukej se përfshinte dy dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, të cilat u lëshuan nga aeroporti Sunan në Phenian, tha në një deklaratë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm së Koresë së Jugut.
Lëshimet e fundit janë bërë shkak për kritika dhe një apel për dialog nga administrata amerikane e cila i ka vendosur sanksione të reja Koresë së Veriut mbi këtë çështje e po bën trysni për sanksione të tjera.
Administrata e Presidentit Joe Biden vendosi sanksionet e para të reja ndaj Phenianit të mërkurën dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vendosë në listën e zezë disa individë dhe subjekte të Koresë së Veriut. Administrata përsëriti gjithashtu thirrjet që Pheniani t'i kthehet bisedimeve që synojnë uljen e tensioneve dhe heqjen dorë nga arsenali e i armëve bërthamore dhe raketave balistike.
Koreja e Veriut ka mbrojtur testet me raketave duke thënë se vendi gëzon të drejtën e tij për vetëmbrojtje dhe ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për atë që e ka quajtur përshkallëzim i qëllimshëm i situatës me sanksione të reja.