FBI identifikoi personin që mbajti katër vetë peng në një sinagogë në Teksas si shtetasin britanik Malik Faisal Akram, 44 vjeç, pasi presidenti amerikan Joe Biden tha më herët të dielën se ai kishte kryer "një akt terrori".
Akram u vra pas lirimit të sigurt të katër pengjeve të shtunën në mbrëmje.
Incidenti në Colleyville, Teksas, "ishte një akt terrori," tha Biden nga Filadelfia ku kishte shkuar me zonjën e parë Jill Biden, për të nderuar figurën e udhëheqësit të të drejtave civile, Martin Luther King Jr.
"Nuk i di të gjitha hollësitë por mesa duket ai i bleu armët kur mbërriti në Shtetet e Bashkuata dhe nuk duket të ketë pasur bomba. Me sa duket ai e kaloi natën e parë në një qendër për të pastrehët. Nuk i kam ende të gjitha detajet kështu që hezitoj të flas më hollësisht," tha presidenti.
Familja e Akramit tha se ishte e "dëshpëruar" nga vdekja e tij, siç njoftoi Sky News në Britani.
Vëllai i Akramit, Gulbard, tha në një deklaratë se anëtarët e familjes kishin kaluar orë të tëra "duke komunikuar me Faisalin" gjatë kohës që mbante pengjet dhe se megjithëse ai "vuante nga probleme të shëndetit mendor, ne ishim të sigurt se ai nuk do t'i dëmtonte pengjet”, tha Sky News.
Familja tha se "nuk justifikon asnjë nga veprimet e tij dhe do të donte t'u kërkonte sinqerisht falje të gjitha viktimave të përfshira në incidentin fatkeq," sipas Sky News.
Gjatë orëve të natës, ekipet speciale të FBI-së hynë brenda sinagogës në Teksas dhe liruan pengjet, mes së cilëve ishte edhe rabini i kongregacionit Beth Izrael. Akrami kishte hyrë në sinagogë gjatë shërbesës së të shtunës dhe filloi një konflikt me policinë që zgjati mbi 10 orë.
“Në sinagogë ishte duke u bërë shërbimi fetar dhe po transmetohej drejtpërdrejt në Facebook, kur filluam të marrim informacion se një person i armatosur kishte hyrë në sinagogë dhe kishte marrë pengje”, tha Michael Miller, shef i policisë në Colleyville.
Të gjithë pengjet u liruan të shtunën mbrëma, ndërsa autori kishte vdekur.
“Katër pengjet që u liruan nuk kanë nevojë për ndihmë urgjente mjekësore dhe do të ribashkohen me familjet. Ai nuk kishte lënduar asnjërin prej tyre”, tha Matthew Desarno, drejtues i FBI-së në Dallas.
Akrami fillimisht kishte marrë peng katër persona, përfshirë rabinin e Kongregacionit Beth Israel, thanë zyrtarët. Një nga pengjet u lirua i padëmtuar gjashtë orë më vonë.
Autoritetet po punojnë për të identifikuar një motiv të saktë të sulmit.
Pengmarrësi u dëgjua duke kërkuar lirimin e Aafia Siddiquit, neuroshkencëtarja pakistaneze e dyshuar për lidhje me al-Kaedën, thanë zyrtarët. Gjatë komunikimit me negociatorët sulmuesi pati kërkuar edhe të fliste me të.
Gazetarët lokalë thanë se dëgjuan shpërthime dhe ndoshta të shtëna pak përpara se guvernatori i Teksasit Greg Abbott të njoftonte se kriza kishte përfunduar.
Departamenti i Policisë së qytetit Colleyville tha se fillimisht reagoi me ekipet e ndërhyrjes së shpejtë duke filluar nga ora 10:41 e mëngjesit gjatë shërbimit të Shabbatit, që po transmetohej në internet.