Presidenti amerikan Joe Biden thotë se po intensifikon luftën ndaj pandemisë, nëpërmjet shpërndarjes së maskave falas dhe një totali prej një miliard teste shtëpie, ndërsa po rritet niveli i infektimeve nga varianti Omicron. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell, një organizatë aktiviste për barazinë shëndetësore thotë se shpërndarja brenda një vendi nuk do të ndalë këtë pandemi globale dhe se duhet ndihmuar edhe pjesa tjetër e botës.
Your browser doesn’t support HTML5
Presidenti Joe Biden thotë se po i kundërpërgjigjet variantit shumë ngjitës Omicron duke shpërndarë në mbarë vendin mjetet e nevojshme. Të enjten, ai njoftoi se amerikanët do të marrin falas maska dhe 500 milionë teste shtëpie, të cilat do t’u shtohen 500 milionë testeve të njoftuara më parë.
Kjo do të thotë se pothuajse çdo person në Amerikë do të ketë tashmë tre teste falas. Ai shtoi se amerikanët me siguracion shëndetësor do të rimbursohen për tetë teste në muaj.
Por, Presidenti Biden vazhdoi t’u bëjë thirrje amerikanëve të marrin atë që doktorët e quajnë mjetin më të rëndësishëm kundër këtij virusi.
“Pra, më e rëndësishmja që mund të bëni është të vaksinoheni. Nëse nuk jeni vaksinuar, bashkojuni rreth 210 milionë amerikanëve që janë vaksinuar. Nëse jeni vaksinuar, bashkojuni gati 80 milionë amerikanëve që kanë marrë edhe dozën përforcuese, me mbrojtjen më të fortë të mundshme”, tha Presidenti Biden.
Vala e tanishme, e ushqyer nga varianti Omicron, ka shkaktuar një nivel rekord të shtrimeve në spital në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.
Varianti i ri u raportua fillimisht në Afrikën e Jugut, dhe një ndër shkencëtarët kryesorë i tha Zërit të Amerikës këtë muaj se nëse Shtetet e Bashkuara dëshirojnë t’i japin fund pandemisë, duhet të mendojnë përtej kufijve të tyre.
“Afrikanët duhet të marrin vaksinat dhe duhet të arrijnë një nivel të lartë vaksinimi si në çdo vend tjetër, pasi mund të infektohemi si të gjithë të tjerët. Mund të sëmuremi rëndë si të gjithë të tjerët. Dhe mund të vdesim nga COVID-19 si gjithë të tjerët. Pra duhet t’i marrim vaksinat dhe t’i bëjmë të disponueshme”, thotë Dr. Salim Abdool Karim, ish-kreu i grupit të punës për COVID-in në Afrikën e Jugut.
Aktivistët e politikave të shëndetësisë vënë në dukje se virusi shfrytëzon të pavaksinuarit për inkubim dhe për të krijuar variante të reja të rrezikshme.
“Nëse menaxhohet në Shtetet e Bashkuara dhe lihet i pamenaxhuar në gjysmën e planetit, atëherë do të kemi më shumë variante. Dhe çdo herë që ky virus dublikon vetveten, ekziston rreziku që mund të jetë më i transmetueshëm dhe më vdekjeprurës”, thotë Tom Hart, nga Fushata ONE, një organizatë aktiviste për politikat e shëndetësisë.
Ndërsa mbi një në çdo katër teste për COVID-in del pozitiv në Shtetet e Bashkuara, administrata e Presidentit Biden po përballet tashmë me kritika për ngadalësinë e kundërpërgjigjes ndaj valës së virusit. Shtëpia e Bardhë thotë se ka bërë përpjekje të mëdha dhe ka arritur progres të madh në përballimin e virusit.
“Po punojmë që të zbatojmë arritjet e gjashtë muajve të fundit. Nëse ju kujtohet, kur mori detyrën presidenti, nuk kishte asnjë, ose vetëm një opsion të miratuar për ta bërë testin në shtëpi. Tashmë në treg ka nëntë”, tha zonja Psaki.
Administrata e Presidentit Biden është zotuar t’u dhurojë vendeve të botës 1 miliard doza vaksinash këtë vit, dhe Presidenti Biden u ka bërë thirrje vendeve të pasura të rrisin numrin e vaksinave që dhurojnë.
Mjekët bien dakort se mënyra e vetme për t’iu përgjigjur pyetjes “Kur do të marrë fund?”, është që të gjithë njerëzit, kudo që ndodhen, të kenë marrë mbrojtjen e duhur.