SHBA vendos sanksione lidhur me testet me raketa të Phenianit

Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën sanksione ndaj gjashtë shtetasve koreano-veriorë, një shtetasi rus dhe një firme ruse, për të cilët tha se ishin përgjegjës për prokurimin e pajisjeve nga Rusia dhe Kina, në funksion të programit të armëve të Koresë së Veriut. Vendimi i Uashingtonit pason një seri testesh me raketa të Phenianit, dy nga të cilat vetëm javën e kaluar.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se masat synojnë të parandalojnë avancimin e programit të armëve të Koresë së Veriut dhe të pengojnë përpjekjet e saj për të përparuar me teknologjinë për prodhimin e tyre.

Sanksionet janë të parat që synojnë në mënyrë specifike programin e armëve të Koresë së Veriut të vendosura nga administrata Biden, e cila ka kërkuar por pa sukses, të angazhojë Phenianin në dialog, për ta bindur të heqë dorë nga programi i tij i armëve bërthamore.

Në një deklaratë të Departamentit të Thesarit thuhet se sanksionet pasojnë gjashtë lëshime raketash balistike nga ana e Koresë së Veriut që nga muaji shtator, secila në shkelje të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian Nelson tha se masat e Uashingtonit vendosin në shënjestër “përpjekjet e vazhdueshme nga Koreja e Veriut për të përdorur shtetas apo entitete të huaja për të blerë në mënyrë të paligjshme pajisje për armë".

Testet e fundit me raketa të Koresë së Veriut ishin "dëshmi të mëtejshme se ajo vazhdon të avancojë programet e ndaluara pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për diplomaci dhe çarmatim bërthamor", thuhej gjithashtu në deklaratë.

Zoti Nelson tha se Departamenti amerikan i Shtetit kishte përcaktuar koreano-veriorin me bazë në Rusi, Choe Myong Hyon, shtetasin rus Roman Anatolyevich Alara dhe firmën ruse Parsek LLC si persona ose entitete të angazhuara në "aktivitete ose transaksione që kanë kontribuar materialisht në përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë".

Po kështu sanksione janë vendosur edhe ndaj katër përfaqësuesve të një organizate të Koresë së Veriut me bazë në Kinë; Sim Kwang Sok, Kim Song Hun, Kang Chol Hak dhe Pyon Kwang Chol dhe një shtetasi tjetër koreano-veriori, O Yong Ho.