Asnjë përparim mbi Ukrainën, NATO dhe Rusia bien dakord për bisedime të tjera

Kreu i aleancës atlantike tha të mërkurën në Bruksel se dallimet mes Rusisë dhe NATO-s lidhur me Ukrainën do të jenë të vështira për t'u kapërcyer. Ai i bëri komentet pas rreth katër orë bisedimesh në kuadër të këshillit NATO-Rusi, ku Moska këmbënguli në ato që i quan garanci sigurie nga Perëndimi. Megjithatë zoti Stoltenberg parashtroi si tregues pozitiv faktin që aleanca ushtarake dhe Rusia ranë dakord të planifikojnë takime të tjera, pavarësisht tensioneve rreth rritjes së pranisë ushtarake të Moskës, në kufi me Ukrainën.

Your browser doesn’t support HTML5

Asnjë përparim mbi Ukrainën, NATO dhe Rusia bien dakord për bisedime të tjera

Në mbledhjen e këshillit NATO-Rusi, Moska këmbënguli në kërkesat e paraqitura në dhjetor që NATO mos të zgjerohet me anëtarë të rinj dhe të tërheqë forcat nga vendet aleate në lindje. Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ritheksoi se këto kërkesa janë të papranueshme dhe ripërsëriti qëndrimin e aleancës, për një politikë të dyerve të hapura.

"Ka dallime të rëndësishme mes aleatëve të NATO-s dhe Rusisë për këto çështje. Ne ripohuam politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe të drejtën e secilit vend për të zgjedhur marrëveshjet e veta të sigurisë”, tha zoti Stoltenberg

Kreu i aleancës tha se NATO ishte e gatshme të bisedonte me Rusinë lidhur me kontrollin e armëve dhe vendosjen e raketave, por nuk do të lejonte Moskën të vendoste veton ndaj ambicies së Ukrainës për t'u bërë pjesë e aleancën. Ai tha gjithashtu se përdorimi i forcës nga ana e Rusisë kundër Ukrainës do të ishte një gabim i rëndë për të cilin Rusia do të paguante një çmim të lartë. Pas takimit NATO-Rusi, zëvendës sekretarja amerikane e Shtetit Wendy R. Sherman foli në një linjë me kreun e aleancës atlantike.

“Ne mbetemi të gatshëm të vazhdojmë të angazhohemi në bisedime me Rusinë. Ritmi i fortë i angazhimeve dypalëshe dhe shumëpalëshe këtë javë tregon se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët dhe partnerët tanë nuk po zvarriten. Është Rusia ajo që duhet të bëjë një zgjedhje të fortë, ose të ulë tensione e t’i japë vend diplomacisë ose të shkojë drejt konfrontimit si pasojë”, tha zonja Sherman.

Takimi i së mërkurës është i dyti nga tre mundësi të kësaj jave për diplomatët amerikanë dhe evropianë që të flasin drejtpërdrejt me zyrtarët rusë mbi situatën në Ukrainë. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë mblidhet të enjten në Vjenë.

Të hënën në Gjenevë, diplomatët amerikanë dhe rusë mbajtën takimin e parë, por të dyja palët lanë të kuptohet se nuk pati ndonjë përparim të madh. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, i cilësoi bisedimet në Gjenevë "të hapura, gjithëpërfshirëse e të drejtpërdrejta", një vlerësim i bërë edhe nga Uashingtoni. Por ai tha se megjithate Moska nuk sheh asnjë arsye të rëndësishme për optimizëm.

Nje ditë më parë Victoria Nuland, nënsekretare e shtetit për Çështjet Politike, tha se Uashingtoni nuk ka parë as shenjën më të vogël se Rusia po kërkon të ulë tensionet, duke akuzuar Moskën se ishte ajo që krijoi krizën duke vendosur 100,000 trupa në kufirin lindor të Ukrainës. Aleatët perëndimorë druhen se Rusia po planifikon nje sulm ndaj Ukrainës pas aneksimit të gadishullit të Krimesë në vitin 2014, gjë që Rusia e ka hedhur poshtë.

Presidenti amerikan Joe Biden, ka përjashtuar mundësinë e një konfrontimi ushtarak me Rusinë, në rast se ajo vendos të sulmojë Ukrainën, por ka paralajmëruar se Uashingtoni dhe aleatët e saj, do të vendosin sanksione të fuqishme ekonomike nëse një gjë e tillë ndodh.