IAE: Rusia minon furnizimin evropian me gaz në mes të ngërçit gjeopolitik për Ukrainën

Rusia po ndikon në furnizimin e pamjaftueshëm me gaz natyror të Evropës, tha të sot kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) Fatih Birol, i cili vuri në dukje se kjo po ndodh në mes të një përplasjeje mes Moskës dhe Perëndimit për Ukrainën.

Organizata mbikëqyrëse e energjisë me bazë në Paris, paralajmëroi se çmimet e larta të energjisë dhe barra mbi konsumatorët, të shkaktuara nga kriza e gazit, e bëjnë të nevojshme vendosjen e kuotave të detyrueshme për magazinimin e gazit nga kompanitë evropiane në të ardhmen.

“Ne besojmë se ka elementë të fortë pengues në tregjet evropiane të gazit për shkak të sjelljes së Rusisë,” u tha zoti Birol gazetarëve, duke vënë në dukje se “furnizimet e ulëta të gazit rus sot në Evropë përkojnë me tensionet e rritura gjeopolitike mbi Ukrainën”.

Kompania ruse e gazit Gazprom pakësoi eksportet në Evropë me 25% në tremujorin e katërt të 2021, pavarësisht çmimeve të larta të tregut dhe ndërsa eksportuesit e tjerë i rritën ato, tha zoti Birol.

"Deficiti aktual i magazinimit në Bashkimin Evropian është kryesisht për shkak të Gazpromit," shtoi ai. "Nivelet e ulta të magazinimit në objektet e kompanisë në BE përbëjnë gjysmën e deficitit të magazinimit të BE-së, megjithëse objektet e Gazpromit përbëjnë vetëm 10% të kapacitetit total të magazinimit të BE-së."

Eksportet ruse të energjisë kanë qenë në qendër të vëmendjes për shkak të tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimit, pasi Rusia ka shtuar praninë e saj të trupave pranë Ukrainës fqinje, e cila po përpiqet të krijojë lidhje më të ngushta me NATO-n.

Disa ligjvënës të Bashkimit Evropian kanë akuzuar Rusinë, e cila plotëson më shumë se 30% të nevojave të bllokut me gaz natyror, për shfrytëzimin e krizës.

Moska e ka mohuar këtë dhe Gazpromi ka thënë se ka përmbushur plotësisht kontratat evropiane.

Megjithatë, zoti Birol tha se Rusia mund të shtojë dërgesat në Evropë me të paktën një të tretën përmes kapaciteteve rezervë.

Në kontrast me marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian, Rusia po dërgon gaz natyror duke tejkaluar angazhimet e saj kontraktuale për Kinën, shtoi zoti Birol.

"Unë mendoj se rregulloret në Evropë duhet të rishikohen për të siguruar që nivelet e magazinimit janë në fuqi për të mbuluar nevojat e përdoruesve", tha ai.