Mjekët transplantuan për herë të parë një zemër derri tek një pacient në një përpjekje të fundit për t'i shpëtuar jetën. Zyrtarët e një spitali në Merilend njoftuan të hënën se pacienti ishte në gjendje të mirë, tre ditë pas operacionit eksperimental.
Ndonëse është shumë herët për të ditur nëse operacioni do të funksionojë, ai shënon një hap në përpjekjen e gjatë që një ditë të bëhet i mundur përdorimi i organeve të kafshëve për transplante që u shpëtojnë jetën njerëzve. Mjekët në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Merilendit thonë se transplanti tregoi se një zemër nga një kafshë e modifikuar gjenetikisht mund të funksionojë në trupin e njeriut pa refuzim të menjëhershëm.
Pacienti 57 vjeçar, David Bennett e dinte se nuk kishte asnjë garanci se eksperimenti do të funksiononte.
"Duhet të zgjidhja mes vdekjes dhe këtij transplanti. Unë dua të jetoj. E di që nuk është aq e sigurtë, por kjo është zgjedhja ime e fundit", tha zoti Bennett një ditë para operacionit, thuhet në një deklarate të lëshuar nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Merilendit.
Ka një mungesë të madhe të organeve njerëzore të dhuruara për transplantim, duke i shtyrë shkencëtarët të përpiqen të kuptojnë se si mund t’i zëvendësojnë ato me organet e kafshëve. Vitin e kaluar, kishte pak më shumë se 3,800 transplantime zemre në Shtetet e Bashkuara, një numër rekord, bazuar në të dhënat e Rrjetit të Bashkuar për Ndarjen e Organeve (UNOS), i cili mbikëqyr sistemin e transplanteve në vend.
"Nëse kjo funksionon, do të ketë një furnizim të pafund të këtyre organeve për pacientët që vuajnë", tha Dr. Muhammad Mohiuddin, drejtor shkencor i programit të transplantit nga kafsha te njeriu i Universitetit të Merilendit.
Por përpjekjet e mëparshme për transplantime të tilla kanë dështuar, kryesisht për shkak se organizmi i pacientëve refuzoi me shpejtësi organin e kafshës. Në vitin 1984, “Baby Fae”, një foshnjë që po vdiste, jetoi 21 ditë me një zemër babuni.
Ndryshimi këtë radhë është se kirurgët e Univeristetit të Merilendit përdorën një zemër nga një derr që i ishte nënshtruar modifikimit të gjeneve për të hequr një lloj sheqeri nga qelizat e tij që është përgjegjës për refuzimin e shpejtë të këtij organi nga organizmi i njeriut.
"Unë mendoj se kjo mund të karakterizohet si një ngjarje e madhe", tha Dr. David Klassen, shefi mjekësor i UNOS, për transplantin në Merilend.
Megjithatë, Dr. Klassen paralajmëroi se ky është vetëm një hap i parë për të eksploruar mundësitë nëse ky lloj transplanti mund të funksionojë.
Administrata e Ushqimit dhe Barnave, e cila mbikëqyr eksperimentet e transplanteve, lejoi operacionin bazuar në autorizimin për rastet urgjente, kur jeta e pacientit është në rrezik dhe nuk ka zgjidhje tjetër.
Në shtator, studiuesit në Nju Jork kryen një eksperiment duke sugjeruar se këto lloj derrash mund të ofrojnë alternativa premtues të transplantit të organeve të kafshëve tek njeriut. Mjekët lidhën përkohësisht veshkën e një derri në trupin e një njeriu të vdekur dhe e panë se ajo filloi të funksiononte.
Transplanti në Merilend e çon atë eksperiment në një nivel tjetër, tha Dr. Robert Montgomery, i cili udhëhoqi eksperimentin në Universitetin e Nju Jorkut.
"Ky është një përparim vërtet i jashtëzakonshëm", tha ai në një deklaratë. "Si një përfituese i transplantit të zemrës për shkak të një çrregullimi gjenetik që kisha më parë në zemër, jam i emocionuar nga ky lajm dhe shpresa që kjo ngjarje ofron për familjen time dhe pacientë të tjerë, të cilët përfundimisht do të shpëtohen nga ky zbulim", shtoi ai.
Do të jetë thelbësore të ndahen të dhënat e mbledhura nga ky transplant përpara se kjo të ofrohet si mundësi për pacientë të tjerë, thotë Karen Maschke, studiuese në Qendrën Hastings, e cila po ndihmon në hartimin e politikave mbi etikën si dhe për rekomandime lidhur me provat e para klinike, bazuar në një grant të Institutit Kombëtar të Shëndetit.
"Nxitimi në transplantet e organeve të kafshëve tek njeriu pa këtë informacion nuk do të ishte i këshillueshëm", tha studiuesja Maschke.
Operacioni, i kryer të premten në spitalin e Baltimores, zgjati shtatë orë.
Djali i zotit Bennet tha për agjencinë e lajmeve Associated Press, se babai i tij po vdiste, dhe se ai nuk i plotësonte kushtet për një transplant me një zemër njeriu.
“Ai e kupton realisht rëndësinë e këtij operacioni”, tha David Bennett Jr. "Ai nuk mund të jetonte më gjatë. Por dua të theksojë se tani kemi hyrë në një territor të panjohur", shtoi ai.